Një ditë më parë u dorëzua dosja me 333 fashikuj/ Caktohet gjyqtarja që do të shqyrtojë në seancë paraprake çështjen “Partizani”

16/10/2024 09:20

Caktohet gjyqtarja paraprake që do të shqyrtojë në seancë paraprake dosjen “Partizani”.

Shorti ka zgjedhur gjyqtaren Antikorrupsion Flojera Davidhi.

Një ditë më parë siç raportoi gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, dosja me 5 të akuzuar mes tyre ish kryeministrin Sali Berisha, Jamarbër Malltezin dhe biznesmenin Fatmir Bektashi u dorëzua në Gjykatën e Posaçme. Në total në dosje janë 333 fashikuj.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, pasi ka përfunduar hetimet në kuadër të procedimit penal nr. 287, të vitit 2020, ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datë 15.10.2024), kërkesën për dërgimin e çështjes për gjykim, në ngarkim të të pandehurve si vijon:

Sali Berisha, akuzuar: Për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal;

Jamarbër Malltezi, akuzuar për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;

Fatmir Bektashi, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;

Xhimi Begeja, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;

Andia Pustina, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;

Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Studio Pustina sh.p.k. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;

Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Homeplan sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë i Kodit Penal;
Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Kontakt sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë i Kodit Penal.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA