Mbledhja e Komisionit Hetimor për Sterilizimin dhe Check Up-in u shty, pas kërkesës që kryetares Albana Vokshi, që kërkoi shqyrtimin e kërkesës për rikthimin e deputetëve të përjashtuar.
Nënkryetari Plarent Ndreca dhe anëtarët e tjerë socialistë ranë dakord për shtyrjen e kësaj mbledhje, por theksuan kërkesën që të mos pengohet puna për përmbylljen brenda afateve për të dërguar raportin në seancë plenare.
Më herët, Vokshi paraqiti në mbledhje shkresën dërguar kryeparlamentares Elisa Spiropali, ku kërkon marrjen e masave disiplinore për këdo që sipas saj ka penguar punën e komisionit, përfshirë këtu deputetët socialistë, punonjësit e Gardës dhe Sekretariatit që nuk ka lejuar që deputetët e përjashtuar të futen në mbledhje. Ajo kërkoi të nisë procedura për marrjen e masave disiplinore për deputetët Plarent Ndreca, Ilir Metaj, Erion Braçe, të nisin procedurat për marrjen e masave për sekretarin e përgjithshëm dhe të gjithë administratën që ka penguar hetimin parlamentar.
“Kemi bërë kërkesë te Sekretariati i Etikës për përjashtimin e deputetëve dhunues në këtë komision. Kemi përgatitur edhe kallëzim penal për këdo që ka penguar hetimin parlamentar dhe funksionimin normal të këtij komisioni hetimor, që nga sekretari i përgjithshëm dhe drejtuesi i Gardës. Sepse nuk ndodh që pesë punonjës të gardës të ushtrojë këtu presion ndaj deputetëve të opozitës dhe të gjithë ata që i ndihmojnë nga ana e administratës”, tha ajo.
Shkresa drejtuar Spiropalit:
Të fillojë procedurën parlamentare për zëvendësimin e zëvëndëskryetarit dhe sekretarit të Komisionit Hetimor, të cilët në mënyrë të përsëritur kanë shkelur rregullore e Kuvendit dhe Ligjin për Komisionet hetimore duke penguar hetimin parlamentar;
Të paralajmërojë 6 deputetët e tjerë të mazhorancës për detyrimet e tyre ligjore si anëtarë të Komisionit Hetimor;
Të urdhërojë lejimin e anëtarëve të Komisionit Hetimor të cilët janë përjashtuar në mënyrë antikushtetuese nga ana e Sekretariatit të Procedurave dhe Etikës. Jo vetëm për faktin që përjashtimi është antikushtetues, i pabazuar në Rregullore dhe jo proporcional, por sepse këto «dënime në masë», «dënime kolektive» në asnjë rast nuk duhet të pengojnë punën e Komisioneve Hetimore të cilat funksionojnë me ligj të posacëm e kanë një afat kohor të caktuar. Ndërkohë që nga ana e 24 deputetëve të PD është bërë ankimim në Byronë e Kuvendit e cila ende nuk është mbledhur duke mohuar të drejtën për ankimim të deputetëve të opozitës;
Të nisë procedurat për marrjen e masave disiplinore për deputetët dhunues verbal: Plarent Ndreca, Ilir Metaj dhe Erjon Brace.
Të nisë procedurat për marrjen e masave disiplinore ndaj Sekretarit të Përgjithshëm për shpërdorimin e postit dhe abuzimin me detyrën e tij duke urdhëruar veprime që pengojnë mbledhjet e komisioneve dhe hetimin parlamentar.
Top Channel