Mesazhi i Top Channel/ Ambicia politike e Fatmir Xhafajt dhe përpjekja për të pastruar figurën duke sulmuar median

10/10/2024 20:29

“Midis krimit, biznesit, grupeve të biznesit në këtë fushë dhe medias të kriminalizuar…” Ky reagim i ish-Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafajt ndaj televizionit kombëtar Top Channel, pas 6 vitesh transmetimi të dokumentarit Inside Story, nuk është aq i rastësishëm.

Dalja publike përkon me ambicien e re politike, të cilën Xhafaj e ka shpalosur kohët e fundit nëpërmjet një komisioni të posaçëm anti-korrupsion, që brenda radhëve të socialistëve shihet si një rikthim i ish-Ministrit të Brendshëm.

E për të arritur këtë, Xhafaj duhet të pastrojë të shkuarën e tij, ku Inside Story ka një rol të pashmangshëm. Dokumentari, për të cilën Xhafaj i referohet me zhargonin e gjobvënies, reflekton një mllef të mbartur, një argument shterp, një akuzë penale, përballë dhjetra fakteve të publikuara në dokumentarin e vitit 2018.

Top Channel mund të anashkalonte një përgjigje për Fatmir Xhafajn, nëse do të fliste me etikë, pa fyerje, njësoj siç i shpjegonte publikut me brishtësi pafajësinë e të vëllait, për akuzën e trafikut të drogës.

E meqenëse vitet kanë kaluar nga transmetimi i Inside Story, Top Channel ka vendosur të rikthejë edhe njëherë vëmendjen te pikat kyçe, për të vlerësuar vetë opinioni mbi profesionalizmin gazetaresk.

Për dokumentarin që Xhafaj e akuzon, do të ishte e udhës që të shpjegonte sesi është dhunuar Valbona Duka, kur ai ishte hetues në vitin 1985.

Më mori Fatmir Xhafa në pyetje, ishte hetues i vëllait tim. Kur vdiq Enver Hoxha në ’85-ën, ky me shokët kishin ngrit dolli gjoja se ka vdekur Enver Hoxha, kanë pirë raki. Dikush i spiunoi dhe e arrestuan, e dënuan 19 vite. Ditën që do martohej e arrestuan. Si në kohën e Enverit, edhe presion kishte. Ma ka bërë këtë krah Fatmir Xhafaj… duke më pickuar, kallëzo se ku i ke lënë florinjtë e kallëzo se ku do shkoje me vëllain”, tha Valbona Duka asokohe për Inside Story.

Publiku kërkon transparencë nga Xhafaj, sesi ai është pronari faktik i një pallati 10-katësh në Pogradec, që ligjërisht është në emër të vëllait të bashkëshortes së tij notere. Ai është ndërtuar në vitin 2003, në të njëjtën kohë kur Xhafaj ishte deputet i këtij qyteti dhe bashkia drejtohej nga socialistët, një konflikt të hapur interesi.

“Thonë pallat i Xhafës”.

“I Xhafës, kështu thonë”

“Xhafa e ka ndërtuar”

“Pallati i Fatmir Xhafaj, kaq di unë”, u shprehën banorët për Inside Story.

Fatmir Xhafaj nuk u pyet dhe as nuk foli në intervistën e Opinion, për tre kallëzimet ndaj tij, gjatë kohës kur ishte ministër në vitet 2004-2005, për abuzimin me fondet publike për ndërtimin e zyrave dhe një shkolle për riedukimin e të rinjve të burgosur. Dosjet e tij u mbyllën nga prokurori Vexhi Muçmata, që më vonë u shpërblye me postin e deputetit në Partinë Socialiste. Për akuza më të vogla se kaq, në kohën e sotme të SPAK, kolegët e Xhafajt janë pas hekurave.

Në vitin 2005, kur ai ishte ministër, merret vendimi për ngritjen e burgut për të mitur në zonën elektorale të Xhafajt. Fondi ishte 47 milionë lekë por pas nënshkrimit të kontratës, firma paraqit një preventiv të ri ku merreshin përsipër vetëm 1/3 e punimeve me ato para.

Përpara përbaltjes së Top Channel, Xhafaj duhet të sqarojë opinionin publik se cilat kanë qenë interesat e vëllait të tij në lojërat e fatit me dy vëllezërit Gramoz dhe Besnik Murataj. Këta dy të fundit dalin dhe në dosjen e trafikut të drogës, ku është i përfshirë dhe Agron Xhafaj.

Pjesë nga debati i Xhafaj me Luneda Sufalin

Xhafaj: Nuk e di çfarë pune bën aty ti…?

Sufali: Pastruese

Xhafaj: Atëherë dil nga salla

Sufali: Kam për të referuar në komision

Xhafaj: Atë e vendos unë. Tërhiqu, do të ndërpres komisionin po të them.

Sufali: Nuk dal jashtë.

Si një nga hartuesit e reformës në drejtësi, Xhafaj mund të kursente sulmin ndaj Top Channel, dhe të shpjegonte sesi kishte shtuar një nen në Kodin e Procedurës Penale për të penguar ekstradimin e vëllait në Itali, një akuzë kjo e ngritur dhe nga zyrtarët e Partisë Demokratike.

Fatmir Xhafaj thekson se Inside Story kishte lidhje me krimin, por e vërteta është që ky dokumentar është i vetmi në Shqipëri që ka bërë investigime për bandat më të rrezikshme, përfshirë dhe atyre që bënin biznes me familjarët e Xhafajt.

Ky editorial nuk është për të pastruar veten Top Channel, por për të ndihmuar Fatmir Xhafajn që të harrojë të shkuarën e tij, që siç thotë ai, e ka përndjekur në 22 vitet e fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA