Fiks Fare/ Bashkia Dibër kërkoi terminal, qytetari e ndërtoi. Prej 3 tre vitesh bosh, policia bashkiake nuk zbaton vendimin e Këshillit Bashkiak

08/10/2024 20:41

Terminali i qytetit të Dibrës prej tre vitesh është jashtë funksionit.

Edhe pse me një vendim të këshillit bashkiak ku të gjitha mjetet e transportit publik qytetas e ndërqytetas duhet të paraqiten në terminal, ky vendim nuk zbatohet. Investimi prej 400 mijë eurosh rri bosh, ndërkohë që mjetet e transportit ndalojnë kudo, gjithashtu marrin e zbresin pasagjerë kudo.Policia bashkiake nuk zbaton vendimin e këshillit bashkiak, por lë të veprojnë të lirë të gjitha këto mjete në kundërshtim me vendimin.

Në Fiks Fare u ankua qytetari Adnan Vranezi, i cili ankohet se prej 3 vitesh terminali i Dibrës rri bosh e ndërkohë që mjetet e transportit rrijnë në dalje të qytetit apo edhe në parkime private.  Terminali është ndërtuar nga ai dhe investimi kap vlerën e 400 mijë eurove.  “Bashkia m’u drejtua asokohe pasi nuk kishte sheshe të lira dhe vendosëm që unë ta ndërtoja në pronën time dhe kundrejt tarifës mjetet të vinin aty” tregon Adnani. Por prej tre vitesh vendimi nr 16 i Këshillit Bashkiak Dibër i vitit 2021 nuk zbatohet. Terminali u ndërtua, por mjetet nuk  shkojnë aty.

Adnani thotë se gjithë furgonat e fshatrave rrinë nëpër qytet dhe nuk hyjnë ne terminal, ndërkohë që policia bashkiake s’bën asgjë.  ” Kjo nuk është vetëm në dëmin tim, por edhe të qytetarëve apo turistave të shumtë. Pasi që të shkojnë në periferi dibranët duhet të marrin një taksi që kushton 300 lekë e pastaj të marrin furgonin që duan. Për turistët është edhe më keq pasi abuzohet me ta dhe u kërkojnë në të zezë 50 euro” shprehet denoncuesi. Ai tregon  gjithashtu se këshilli bashkiak miratoi edhe një linjë urbani për qytetin, por e ka lënë pa stacione. Stacioni tregohet  vetëm nga disa tabela ku në të gjithë kohën vendi para tyre është i zënë nga makinat e parkuara. Shkresat e pafundme që i ka drejtuar si bashkisë si edhe policisë bashkiake për zbatimin e vendimit nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Fiksi bëri një vëzhgim ku pa se shumica e mjeteve të transportit ndërqytetas rrinin në periferi dhe brenda qytetit të parkuara ku të mundeshin. Kurse stacionet e urbanit të mirëfillta mungonin, nuk ka asnjë shenjë informuese për qytetarët, përveç një tabele sinjalizuese që tregon se aty do të ndalojë një mjet transporti urban. Ndërkohë që vendi para tabelës është i zënë me mjete të parkuara.

Gjatë vëzhgimit Fiksi pyeti edhe disa policë bashkiak të cilët i shihnin mjetet ndërqytetas që kishin parkuar brenda në qytet dhe atyre u dukej mëse normale qëndrimi i tyre aty. “Janë në parkim, janë shumë ok”, përgjigjet njëri prej tyre pyetjes së gazetarëve të Fiksit.

Fiksi iu drejtua edhe Policisë Bashkiake Dibër, ku inspektori Fitim Methasani shpjegoi  se të gjitha mjetet e transportit hyjnë në terminal. Fiksit e pyeti se nga vëzhgimi që bën panë se mjetet parkoheshin kudo madje për to kishin pyetur edhe policë bashkiak të cilët  pohuan se qëndrimi i tyre kudo është mëse normal. Insektori Methasani u përgjigj se nuk  ka parkim të licensuar nga bashkia përveç terminalit. Madje ata kanë marrë masa me gjobë kundrejt këtyre mjeteve që janë kapur në shkelje, pra ndryshe nga çfarë thanë policët në terren.  Inspektori pohoi se vendimi i këshillit bashkiak zbatohet, por që nuk përjashtohen edhe rastet e tjera pasi aktualisht kanë probleme për shkak të rikonstruksionit të rrugëve të qytetit.  Sa për stacionet e urbanit z. Methasani tha se ato lajmërohen me tabelë sinjalistike dhe se nuk janë të zënë nga parkimet e makinave, ndërkohë që Fiksi tregoi me pamje të kundërtën.Pyetjes së Fiksit se a qëndron apo jo ankesa e zotit Adnan, inspektori pranoi se ankesa qëndron dhe se ai ka të drejtë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA