Mirmëngjes nga bjeshkët e Tropojës! Kështu nisi emisioni më i ri në Top Channel, “Bagëti dhe Bujqësi”.
Gazetarja, Rudina Muça kësaj herë solli në ekran rrugëtimin e frutit që bën mrekulli për shëndetin tonë, nga vjelja e boronicës në bjeshkë e deri kur vjen në tryezën tonë.
Që kjo shkurre të rritet kërkon vetëm diell, ajër dhe ujin e dëborës, por që të vilet do mund dhe sakrificën e dhjetëra familjeve që gjatë verës shpërngulen në bjeshkë dhe qëndrojnë në stanin e tyre, ku përveç bukurisë së natyrës, çdo gjë tjetër është e mundshme.
Në alpe komunikimi me telefon është i vështirë pasi valët gjenden vetëm në disa kodrina, ndërsa ushqimet blihen njëherë në javë nga një banor i stanit në Bajram Curr ose Kosovë. Pavarësisht kësaj lodhje aty ka familje që prej 30 vitesh të ardhurat i sigurojnë nga boronicat e bjeshkëve. Grupi i xhirimit të “Bagëti e Bujqësi”, qendroi një natë në stanin e familjes Çela për të parë nga afër se si jetojnë banorët e bjeshkëve.
Rudina Muça: Avdyl, çfarë ju sjell në bjeshkë?
Avdyl Çela: Në bjeshkë na sjell boronica dhe ajri i kësaj natyre. Këtu ndjehem më rehat se në Tiranë.
Boronica e Alpeve Shqiptare, nuk njihet vetëm për konsumtorin vendas, por ajo eksportohet deri në SHBA, Itali dhe Zvicër. Të nisësh mëngjesin me një tas me boronica do të thotë, të rinosh veten çdo ditë, për këtë arsye ajo njihet si fruti i mrekullive. Një kilogram boronica të mbledhur me gargan kushton 500 lekë, ndërsa boronica që mbledhim me dorë kushton 1000 kilogrami, në Tiranë boronica e Tropojës kushton 2000 lekë kilogrami. Shqipëria nuk ka boronica vetëm në Tropojë, por edhe në Kukës, e Dibër, nëse ky frut vjen në tavolinën tonë është falë banorëve të stanit të cilët asnjëherë në këto 30 vite nuk janë mbështetur nga Ministria e Bujqësisë, ndryshe nga kolegët e tyre në Kosovë të cilët u jepen furra për të tharë frutin, makineri paketimi e deri tek dhomat frigoriferike.
Top Channel