Mijëra vetë mbushën rrugët e Vjenës me thirrjet drejtuar partive politike e sidomos partisë konservatore në pushtet, të mos e krijojnë qeverinë e re me partinë e së djathtës ekstreme, Partia e Lirisë (FPO), e cila i fitoi zgjedhjet e përgjithshme për herë të parë të dielën e kaluar.
FPO-ja, e udhëhequr nga Herbert Kickl, siguroi 29 për qind të votave, duke e lënë në vendin e dytë Partinë Popullore Austriake (OVP), e cila i mori 26 për qind të votave. FPO-ja megjithatë nuk ka mundur të fitojë shumicën e nevojshme në Parlament për ta formuar vetë Qeverinë e re të Austrisë dhe tani i duhet të krijojë koalicion për të drejtuar vendin.
“FPO-ja është një rrezik, sepse dëshiron të qeverisë me imazhin e Viktor Orbanit në Hungari. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që s’do të ketë liri për shtypin, s’do të ketë buxhet për kulturën, çdo ide progressive do të bllokohet, dhe prandaj ne duam të dërgojmë një sinjal kundër saj”, tha Rihab Toumi, studente.
“Jam këtu sepse nuk është e drejtë që një parti e ekstremit të djathtë të fitojë kaq shumë mbështetje. Ne duam të tregojmë se është shumë e rëndësishme që ajo të mos qeverisë, e të mos përfshihet në një koalicion që të drejtojë vendin”, u shpreh Marianne, punonjëse sociale.
FPO-ja është euroskeptike dhe miqësore ndaj Rusisë, si dhe kritike ndaj islamit dhe është zotuar për rregulla të ashpra ndaj azilkërkuesve. Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, i cili mbikëqyr formimin e qeverive, pritet të takohet me liderët e të gjitha partive parlamentare, duke nisur me Kickl. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje atyre të mbajnë bisedime me njëra-tjetrën për formimin e koalicionit qeverisës.
Top Channel