Burgosja e Salianjit, Diaspora për Shqipërinë e lirë rendit mangësitë e procesit: Të shqetësuar nga vendimi i gjykatës

04/10/2024 16:47

Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka reaguar në lidhje me dënimin me një vit burg për demokratin Ervin Salianji.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Diaspora për Shqipërinë e Lirë thotë se është njohur me aktet dhe dosjen ligjore në ngarkim të Salianjit dhe ngrenë shqetësimin për vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Ndër të tjera thuhet se bazuar në dosjen gjyqësore dhe informacioneve publike, janë evidentuar probleme dhe mangësitë në procesin e ndjekur.

Më tej Diaspora për Shqipërinë e Lirë rendit 7 mangësitë në procesin e ndjekur, teksa ngre shqetësimet.

Reagimi i plotë:

Diaspora për Shqipërinë e Lirë, pasi u njoh me aktet dhe dosjen ligjore në ngarkim të deputetit të PD, Ervin Salianji, deklarohet si më poshtë.

Diaspora për Shqipërinë e Lirë, një organizatë që mbështet të drejtat dhe lirite themelore të qytetarëve shqiptarë, si dhe një demokraci të qëndrueshme dhe të drejtë, shpreh shqetësimin e saj të thellë për vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në lidhje me dënimin e deputetit të opozitës, z. Ervin Salianji, për kallëzim të rremë. Ky vendim ngre një sërë shqetësimesh që lidhen jo vetëm me integritetin e sistemit të drejtësisë shqiptare, por edhe me lirinë e shprehjes dhe funksionimin e shëndetshëm të demokracisë.

Bazuar në dosjen gjyqësore dhe informacioneve publike, ne evidentojmë problemet dhe mangësitë në procesin e ndjekur, dhe shqetësimet që burojnë nga ky vendim:

  1. Mungesa e një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm:

Nga dokumentacioni që kemi shqyrtuar, është e qartë se hetimi për këtë rast nuk ka përfshirë një analizë të plotë të të gjitha fakteve dhe rrethanave. Publikimi i regjistrimeve dhe akuzat për implikimin e figurave të larta në çështje të rëndësishme kriminale, si trafiku i narkotikëve, kërkojnë hetime të thelluara dhe të paanshme, që duket se kanë munguar. Një hetim i tillë duhet të kishte garantuar shqyrtimin e të gjitha provave dhe të kishte marrë në konsideratë rrethanat e veprës, duke shmangur përfundime të nxituara.

  1. Dënimi disproporcional në krahasim me raste të ngjashme:

Në raste të mëparshme, për të njëjtën vepër penale të kallëzimit të rremë, janë dhënë dënime më të lehta, ose janë marrë vendime për pezullimin e dënimeve. Dënimi me një vit burg për një deputet që ka ushtruar të drejtën e tij për të denoncuar një çështje me interes të madh publik, është jashtëzakonisht i rëndë dhe përbën një dënim disproporcional që ngre dyshime për qasjen selektive të drejtësisë ndaj individëve të caktuar. Kjo krijon një perceptim të padrejtësisë në trajtimin e rasteve që prekin figura publike dhe përfaqësues të popullit.

  1. Profili publik dhe roli i Ervin Salianjit si deputet:

Si një deputet i zgjedhur nga qytetarët, Ervin Salianji përfaqëson interesat e publikut dhe ka luajtur një rol aktiv në zbulimin e çështjeve me rëndësi për interesin publik. Dënimi i tij për një denoncim që ndërlidhet me çështje të kriminalitetit të lartë ngre pikëpyetje serioze mbi lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet shtetërore. Liria e fjalës, e garantuar nga neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, është themelore për një demokraci të shëndetshme. Ndëshkimi i Salianjit për përdorimin e të drejtës së tij për të shprehur shqetësime publike krijon një precedent të rrezikshëm për çdo politikan apo qytetar që kërkon të ngrejë zërin për të mirën e vendit.

  1. Mosrespektimi i precedencës dhe standarteve ligjore:

Në dënimin e dhënë duket qartë një mospërputhje e thellë me rastet e tjera të ngjashme. Për raste të ngjashme, masa e dënimeve ka qenë më e lehtë, apo dënimi është pezulluar. Mosrespektimi i precedentëve të mëparshëm ngre shqetësime për mungesën e një standardi të qartë dhe të njëjtë për të gjithë qytetarët, duke dobësuar ndjeshëm integritetin e sistemit të drejtësisë.

  1. Ndikimi i këtij vendimi në demokracinë dhe integritetin e zgjedhjeve:

Ky vendim jo vetëm që ndikon drejtpërdrejtë në lirinë e individit, por gjithashtu ka pasoja serioze në funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Si deputet i zgjedhur me mbi 10,000 vota preferenciale nga qytetarët në zgjedhjet e vitit 2021, dënimi i z. Salianji rrezikon jo vetëm statusin e tij si deputet, por gjithashtu ndikon në përfaqësimin e qytetarëve që i kanë besuar atij përfaqësimin në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë që vendi përgatitet për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, ky dënim jo vetëm që minon të drejtën e tij për të kandiduar, por gjithashtu dëmton konkurrencën e lirë dhe të ndershme politike.

  1. Efektet e dënimit mbi integritetin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve:

Ekzekutimi i menjëhershëm i këtij dënimi, në kushtet kur vendimi i arsyetuar nuk është ende i disponueshëm, ngre shqetësime të mëdha për transparencën dhe legjitimitetin e procesit gjyqësor. Një proces i tillë, që nuk i ofron të pandehurit të gjitha mjetet e mbrojtjes në përputhje me ligjin dhe që kryhet pa një arsyetim të plotë, përbën një rrezik për të drejtat e njeriut dhe për sistemin e drejtësisë në tërësi.

7. Thirrje Gjykatës së Lartë:

Në këtë kontekst, i bëjmë një thirrje të fuqishme Gjykatës së Lartë të Shqipërisë për të shqyrtuar me kujdes të veçantë ankimin e z. Salianji. Duke qenë se dënimi është bazuar në një vendim të shkurtuar dhe jo të arsyetuar, kërkojmë që Gjykata e Lartë të sigurojë që procesi gjyqësor të respektojë në plotni parimet e shtetit ligjor dhe të drejtësisë së drejtë dhe të barabartë. Mungesa e një vendimi të arsyetuar rrezikon integritetin e procedurës dhe krijon dyshime mbi bazën e këtij dënimi. Gjykata e Lartë ka një përgjegjësi të rëndësishme në këtë rast për të ruajtur besimin e qytetarëve tek sistemi i drejtësisë dhe për të mbrojtur parimin se çdo gjykim duhet të jetë i bazuar në ligj, në të dhëna dhe në transparencë të plotë. Ky rast është një provë e rëndësishme për pavarësinë e gjyqësorit dhe për angazhimin e tij ndaj shtetit të së drejtës.

Diaspora për Shqipërinë e Lirë fton qytetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet ndërkombëtare të monitorojnë këtë rast me vëmendje dhe të sigurojnë që drejtësia të mbrohet dhe të respektohet në çdo hap. Për të ndërtuar një demokraci të fortë dhe të qëndrueshme, shteti ligjor dhe e drejta për një proces të drejtë duhet të mbrohen me çdo kusht.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA