Fiks Fare/ U shpenzuan 30 milionë euro për pallatet e rindërtimit në Shijak, bashkia bën sërish tender 100 mijë euro për kanalizimet e ujërave 

02/10/2024 20:41

Në muajin mars 2024, Fiks Fare transmetoi problematikën e banorëve të lagjes “Lugina” në Shijak, një lagje e rindërtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Pallatet në atë zonë kushtuan 30 milionë euro, por banorët u ankuan për mungesën e ashensorëve, bodrume me ujëra të zeza dhe pa lulishte.  

Pas denoncimit të Fiksit në qershor këtyre banorëve u vunë më në fund në punë ashensorët. Por problemi i bodrumeve me ujëra të zeza dhe lulishtet e papërfunduara qëndronte ende, duke detyruar banorët  të përveshin mëngët dhe t’i mirëmbajnë vetë.

Fiksi e vazhdoi sërish vëzhgimin e tij edhe në shtator ku pa se situata ishte po e njëjta.

Megjithëse për pallatet dhe infrastrukturën përreth ishin shpenzuar 30 milionë euro, sërish Bashkia e Shijakut hapi një tender me objekt të procedurës së prokurimit; “Sistemim i Kanaleve të Ujërave të Zeza plus Kanaleve të Ujërave të Bardha në sheshet e pallateve me numër 5.8, 5.9, 5.10, 5.12, 5.17, 5.13, 5.14 dhe 5.4 të Bashkisë Shijak”.

Fondi i akorduar është 10 milionë lekë të rinj dhe bën fjalë për kanalizime kryesore. Por, nisur nga objekti, pallatet në të cilat do të ndërhyhet janë ato të rindërtuara të tërmetit dhe kushtuan dhjetëra miliona euro. Janë me numra të njëjtë me procedurat e tenderëve.

Fiks Fare kontaktoi me Bashkinë e Shijakut dhe i kërkoi informacion zyrtarisht për këtë procedurë. Në përgjigje, bashkia thotë se procesi i rindërtimit në atë bashki është kryer nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

“Bashkia e Shijakut nuk do të ndërhyjë në zonën 5, për zhvillim pasi në këtë zonë infrastruktura është kryer nga firma e kontraktuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Në lidhje me zërin e publikuar të projektit me titull “Sistemim i KUZ + KUB në sheshet pas pallateve 5.8, 5.9, 5.10, 5.12, 5.17, 5.13, 5.14, 5.15, 5.4”, në lagjen popullore, Bashkia Shijak përfshin sistemimin e kanalizimeve të ujërave të bardha të banesave ekzistuese përreth zonës së rindërtimit nr. 5”.

Ndërkohë, ndryshe nga kjo përgjigje, tenderi i publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik nuk e ka fjalën “pas pallateve”!

Sipas bashkisë, në banesat ku do të kryhet investimi nuk përfshihen në zonën për rindërtim, por lagjet që ndodhen pas zonës nr. 5 për zhvillim, për shkak se nuk kanë qenë të përfshira në zonën e re për zhvillim ka lindur nevoja për sistemimin e ujërave të bardha dhe të zeza me qëllim të lidhjes së tyre me infrastrukturën kryesore, dhe ndërtimin e një muri mbajtës në lagjen popullore për arsye të mbrojtjes së rrëshqitjes së dherave në këtë lagje .

Bashkia thotë se objektet shumëkatëshe të rindërtuara janë kolauduar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe në këto momente janë brenda periudhës së garancisë. Por, nga ajo që konstatoi Fiksi ishte se bodrumet e tyre janë gjithë ujëra të zeza.

Disa ditë pas interesimit të Fiks Fare, Bashkia e Shijakut ka ndryshuar objektin e tenderit. Nga “Sistemim i Kanaleve të Ujërave të Zeza plus Kanaleve të Ujërave të Bardha në sheshet e pallateve”, u bë “Sistemim i Kanaleve të Ujërave të Zeza plus Kanaleve të Ujërave të Bardha në lagjen popullore të Bashkisë Shijak”. Fondi dhe punimet janë të njëjta, por gjithçka u kamuflua me qëllim që të fshihet se në pallatet që kushtuan 30 milionë euro të ndërhyhet sërish!

Fiks Fare shfletoi dokumentet e tenderëve të kryer nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Pallatet në atë lagje kanë kushtuar rreth 30 milionë euro. Në këto dokumente parashikoheshin ashensorët, bodrumet dhe lulishtet.

Në vitet 2020 dhe 2021 janë bërë 5 procedura, me vlerë 2.7 miliardë lekë. Madje, janë bërë edhe tendera për ndërtimin e rrjetit rrugor dhe infrastrukturor me vlerë 200 milionë lekë. Në të gjithë lagjen “Lugina” janë ndërtuar 31 pallate, në një sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë. Gjithsej janë bërë 660 apartamente, shumica e së cilave janë dorëzuar në muajin maj 2023.  Por ende nuk janë mbyllur sicc duhet punimet edhe pse u harxhuan plot 30 milion euro.

 

FOTO GALERI
7/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA