Ekonomia, vijon rënia e besimit/ Nga industria te ndërtimi dhe shërbimet pesimiste, konsumatorët mbeten të pasigurt
Ekonomia shqiptare vijon rritjen për të dytin tremujor me radhë. Gjatë muajve prill, maj dhe qershor ekonomia është rritur me 4.06% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në krahasim me 6 mujorin e parë të vitit 2023, INSTAT përllogarit një rritje prej 3.94% në gjashtë muajt e parë të vitit 2024.
Ndërtimi dhe turizmi janë dy sektorët që i kanë dhënë ndikimin kryesor rritjes ekonomike sipas të dhënave të Institutit të Statistikave. Aktiviteti ndërtues në këtë periudhë është shtuar me 10.10% më shumë se tremujori i dytë i 2023-shit. Ndërsa turizmi, përtej bumit të vizitorëve, renditet në vend të gjashtë me rritje prej 6,48% krahasuar me vjet.
Kontribut pozitiv kanë dhënë degët tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor me +1.12%, ndërtimi me +1.12 %, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, me +0.86 %, aktivitete profesionale dhe shërbim administrative me 0.62%, bujqësi pyje dhe peshkim me +0.17%, aktivitete të pasurive të paluajtshme me 0.13%, aktivitete financiare dhe të sigurimit me 0.13 %; arte, argëtim dhe çlodhje me 0.06%. Taksat neto mbi produktet kontribuuan pozitivisht me 0.92%”. Negativisht ka kontribuuar grupi industri, energji dhe ujë me 0.96%, informacioni dhe komunikacioni me 0.11%.
INSTAT vëren gjithashtu se ndonëse ndërtimi është rritur, kanë ngecur shitjet e pasurive të paluajtshme duke ndikuar me një rritje minimale prej 0,13 përqind.
Top Channel