Deputeti Agron Shehaj paralajmëroi burgosjen në emisionin “Top Story” në Top Channel, lidhur me çështjen e Ervin Salianjit, i cili që prej ditës së premte vuan dënimin në burgun e Fierit, pasi u shpall fajtor për kallëzim të rremë.
Shehaj u shpreh se mund të ketë fatin e Salianjit, pasi vetë demokrati ka një gjyq me socialistin Damian Gjiknurin, për shpifje. Ndër të tjera Shehaj tha se situata është shumë e rëndë.
Deputeti komentoi edhe zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ku tha se do të jenë formale.
“Nuk isha se nuk dyshoja se do ndodhte kjo që ndodhi. Nuk dua të gjykoj kolegët e opozitës, por besoj se kjo nuk mjafton. Kemi 12 vjet që pas çdo skandali bëjmë diçka të ngjashme. Mendoj se duhet diçka më shumë. Harrojmë që njerëzit duhet të kenë besim te ne. Situata është shume e rëndë… situata me Salianjin ndryshon çdo gjë. Nëse ndjekim këtë logjikë, edhe unë do dënohem me burg. I bie që do më hedhin në gjyq dhe do më çojnë në burg. Kushdo në Shqipëri, pas asaj që ndodhi është më pak i sigurt, i lirë seç ishte më parë. Të ishte kritik ndaj qeverisë, administratës. Kjo është shumë e rëndë. Kjo nuk është një gjë që lind nga hiçi, ishin të gjitha shenjat. E kam thënë dhe sulmohem kur e them që zgjedhjet e vitit të ardhshëm janë formalitet. Nëse themi që gjendja është e rëndë është sepse është e rëndë, dhe kërkon që të përfshihemi, dhe jo të ikim. Ne duhet të shohim realitetin në sy, është si njeri sëmurë. Duhet të jemi të vetëdijshëm që zgjedhjet e ardhshme si do shkojnë. Unë them që ne duhet të themi të vërtetën.
Sot e kuptuam ne se Salianji u dënua? Unë kam një gjyq me Gjiknurin, që më akuzon se kam shpifur. Më ka hedhur në gjyq, unë e di shumë mirë si do shkojë ai gjyq. Nuk ka gjykatës apo prokurorë, hiq ndonjë që ka gjasa nga SPAK.”, u shpreh Shehaj.
Top Channel