“Do të paraqiteni në seancë nëse Rama thirret si dëshmitar?”/ Çështja “Partizani”, Berisha: Me kënaqësi, le të vijë po të dojë

06/04/2026 10:52

Berisha kërkon të ballafaqohet me Edi Ramën.

Dhe vendi ideal për ish-kryeministrin do të ishte salla e Gjykatës Antikorrupsion prej nga ku mbas dakordësisë së SPAK pritet që trupa gjyqësore të vendosë nëse do thirret apo jo si dëshmitar kryeministri Edi Rama.

E ka kthyer në një ritual ish-kryeministri lënien e një letre të tillë, në të cilën sërish përmend ish kryeprokurorin Altin Dumani dhe kryeministrin Edi Rama.

“Armikut të drejtësisë, shërbëtorit të Ramës. Mere Anila si dhuratë pashkësh këtë letër”, i drejtohet Berisha gazetares së Top Channel.

Nën gjykim si i dyshuar për korrupsion, përgjatë tjetërsimit të sport klubit Partizan , ish kryeministri Sali Berisha këmbëngul se SPAK duhet të përpilonte akuza për Ramën.

Ndërsa e sheh hetimin si politik. Dosja Partizani ka tetë të pandehur, kur përveç ish kryeministrit, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi, janë marrë të pandehur edhe shoqëri tregtare.

Pyetja nga Anila Hoxha: Nëse gjykata pranon kërkesën për thirrjen si dëshmitar të kryeministrit Edi Rama, ju zoti Berisha a do të paraqiteni në atë seancë? Kjo pasi deri tani nuk jeni paraqitur në asnjë seancë

Sali Berisha: Po më thirri gjykata do shkoj me kënaqësi. Le të vijë po të dojë Edi Rama. Të jetë me kamera dhe ta shohin gjithë shqiptarët. Të dalim të ballafaqohemi. Po nuk vjen ai, i shumëzon me zero. S’më kanë thirrur, po të më thërrasin shkoj unë, s’kam asnjë problem.

Top Channel