Vrasja e studentes 19 vjeçare nga emigranti i sapoliruar për përdhunim, nxit tërbimin e komunitetit në Paris (fotot)

25/09/2024 16:50

Vrasja e një studenteje 19 vjeçare në një zonë qendrore të Parisit ka nxitur më shumë zemërimin e komunitetit dhe thirrjet e të djathtës për kontroll të emigracionit.

Trupi i vajzës tragjike, e emëruar vetëm si Philippine, u gjet të shtunën në parkun Bois de Boulogne në perëndim të kryeqytetit.

E ndjera ishte parë herën e fundit të premten duke drekuar disa metra larg vendit, pasi ishte larguar nga kampusi i universitetit Paris-Dauphine, ku studionte për ekonomi.

Vrasësi i dyshuar është gjurmuar dhe arrestuar dje në Gjenevë, dhe ishte një refugjat që priste deportimin nga Franca.

22 vjeçari maroken ishte liruar nga policia në fillim të këtij muaji në Francë pasi kishte kryer pesë vjet burg për përdhunimin e një studenteje në vitin 2019.

I emëruar nga mediat franceze si ‘Taha O’, ai kishte marrë urdhrin e dëbimit nga Franca, që nuk ishte ekzekutuar për arsye të paditura.

Ministri i brendshëm francez Bruno Retailleau, i emëruar vetëm një javë më parë, premtonte sot se prioritetet e tij do të jenë “rivendosja e rendit, rivendosja e rendit, rivendosja e rendit”, shkruan BBC.

“Ne si zyrtarë publikë … duhet të ndryshojmë arsenalin ligjor për të mbrojtur francezët”, shkruante ai në rrjetin X.

E djathta franceze Fronti Kombëtar (RN) tha se tragjedia ishte një tjetër provë e neglizhencës së sistemit gjyqësor francez.

“Ku emigrant nuk kishte të drjetë të ishte këtu, por ai u lejua të kryente përsëri krim, në pandëshkueshmëri të plotë. Drejtësia jonë është tepër neglizhentë dhe shteti ynë është tepër disfunksional”, tha kryetari i partisë RN, Jordan Bardella.

Tashmë me 120 deputetë në parlament, e djathta RN ka influencë mbi qeverinë e partisë në minorancë të kryeministrit Michel Barnier sepse në çdo kohë mund të ngrejë votë mosbesimi për ta rrëzuar, shkruan rrjeti britanik BBC.

Edhe politikanë të majtë i bashkoheshin thirrjeve për efektivitet në zbatimin e masave të emigracionit.

“I dyshuari duhet të shkonte nga burgu në avion”, tha kreu socialist Olivier Faure, duke shtuar se vetëm 10% e urdhrave të deportimit po realizohen nga drejtësia, sipas shifrave qeveritare.

Sandrine Rousseau e partisë ekologjike, quante vrasjen “femicid, qe duhet dënuar ashpër”, por “jo me racizëm e ksenofobi”.

E ndjera Philippine ishte duke shkuar në shtëpinë e prindërve të saj në perëndim të Parisit kur ishte zhdukur papritur, për t’u gjendur më pas e vrarë dhe përdhunuar nga emigranti ilegal.

Ajo përshkruhej si e urtë dhe studente e shkëlqyer nga kolegët e mësuesit.

Parku qendror i Bois de Boulogne, në qendër të Parisit ka qenë shpesh objekt hetimesh prostitucioni dhe banorët kanë raportuar se është kthyer në vend të frikshëm, prej prezencës së të droguarve dhe të dyshuarve të krimit. /BBC/

FOTO GALERI
2/4
E ndjera Philippine ishte duke shkuar në shtëpinë e prindërve të saj në perëndim të Parisit kur ishte zhdukur papritur, për t’u gjendur më pas e vrarë dhe përdhunuar nga emigranti ilegal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA