Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gati rregullat që i mundësojnë emigranteve të marrin pjesë për herë të parë në një proces elektoral pa pasur nevojë qe të marrin rrugën e kthimit në atdhe.
Hapi i parë për tu bërë pjesë e zgjedhjeve te pranverës është regjistrimi si votues nga jashte në Platformën Elektronike të Regjistrimit, e krijuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe e aksesueshme pa pagesë.
Ne këtë platformë emigranti krijon një llogari personale i cili mund të aksesohet përmes një dokumenti identifikimi të lëshuar nga Republika e Shqipërisë si pasaportë apo letërnjoftim, një kod unik 6 shifror që i mbërrin ne numrin e telefonit dhe email-it, apo edhe identifikimit biometrik te fytyrës.
Emigrantët i kërkohet që të ngarkojnë online të paktën një dokument për të vërtetuar se ata jetojnë jashtë territorit te Shqipërisë të lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku kanë vendbanimin, i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit në një institucion shëndetësor, kamp emigracioni apo një institucion tjetër të të ngjashëm. Pranohen edhe certifikata e pronësisë në shtetin e rezidencës, kontratë kredie apo fature elektrike, ku përcaktohet qartë adresa e banimit jashtë vendit.
KQZ në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile kryqëzon të dhënat dhe shtetasit shqiptarë që janë regjistruar si votues jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së regjistrimit çregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit.
Procesi i regjistrimit nis katër muaj para datës së zgjedhjeve te shpallur ne Shqipëri. Emigrantët kanë 60 ditë kohë për tu bërë pjesë e listës së zgjedhësve nga jashtë pasi i gjithë procesi duhet te mbyllet 2 muaj para se votuesit shqiptar ti drejtohen kutive te votimit.
Top Channel