Akuzohet për komente raciste dhe seksuale, kandidati për guvernator në SHBA nuk tërhiqet: Do të vazhdoj garën!

20/09/2024 22:40

Kandidati republikan për postin e guvernatorit në Karolinën e Veriut, Mark Robinson, tha se do të qëndrojë në garë pavarësisht një njoftimi të rrjetit CNN se ai kishte postuar komente të ashpra racore dhe seksuale.

Kandidati republikan për postin e guvernatorit në Karolinën e Veriut, Mark Robinson, tha të enjten se do të qëndrojë në garë pavarësisht se ai kishte postuar komente të ashpra racore dhe seksuale në një rrjet mesazhesh në internet.
Aktualisht në postin e zv/guvernatorit, zoti Robinson fitoi bindshëm zgjedhjet paraprake të marsit brenda republikanëve për të kantiduar për postin e guvernatorit. Anketat tregojnë për epërsi të kandidatit demokrat për guvernator, Josh Stein, i cili aktualisht është prokuror i përgjithshëm.

“Do ta vazhdojmë garën dhe synojmë të fitojmë”, tha zoti Robinson në një postim me video në rrjetin X. “E dimë që me ndihmën tuaj do të arrijmë synimin”. Në videon e postuar, ai iu referua lajmit të rrjetit CNN, që nuk ishte publikuar ende, por pa dhënë detaje.

“Më lejoni t’ju siguroj, gjërat që do të shihni në atë lajm nuk janë fjalët e Mark Robinson-it”, tha ai. “Ju e dini si flas unë dhe e njihni karakterin tim”.

Lajmi i rrjetit CNN flet për një seri komentesh racore dhe seksuale, për të cilat thotë se janë postuar më shumë se një dekadë më parë nga zoti Robinson në një rrjet mesazhesh të një faqeje pornografike në internet.

Sipas kanalit CNN, zoti Robinson, i cili mund të bëhet guvernatori i parë zezak i Karolinës së Veriut, postoi në rrjetin e mesazheve të faqes pornografike sulme të ashpra racore kundër udhëheqësit të ndjerë të drejtave civile, Martin Luther King Jr. dhe në një rast e quajti veten “Nazist zezak”. Raporti nga rrjeti CNN flet edhe për një mori komentesh seksuale dhe vulgare.

Agjencia e lajmeve Associated Press nuk ka arritur t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur që komentet e përfolura janë shkruar dhe postuar nga zoti Robinson.

Rjeti CNN njoftoi se ka identifikuar detajet e llogarisë në faqen pornografike me llogari të tjera në internet të zotit Robinson, duke krahasuar emrin e përdoruesit, një adresë të njohur emali dhe emrin e tij të plotë.

Lajmi i kanalit CNN thotë se detajet e shkruara nga përdoruesi i llogarisë përputheshin me moshën e zotit Robinson, kohëzgjatjen e martesës dhe të dhëna të tjera biografike. Po ashtu krahasoi frazat e përdorura nga ai në rrjetin Twitter me shprehjet e postuara nga llogaria në faqen pornografike.

Shumë mediume kanë raportuar ndërkohë lidhur me një fjalim të zotit Robinson në vitin 2021 në një kishë ku ai përdori fjalën “ndyrësi” kur fliste për homoseksualët dhe transgjinorët.

Kundërshtari i tij, demokrati Josh Stein, thotë se historia e komenteve nxitëse të zotit Robinson e bëjnë atë një figurë ekstreme për të drejtuar shtetin e Karolinës së Veriut.

Analistët thonë se problemet e fushatës së republikanit Robinson mund të dëmtojnë përpjekjet e ish Presidentit Donald Trump për të fituar 16 votat elektorale të këtij shteti fushëbetejë si dhe kandidatët e tjerë republikanë të atij shteti.

Anketat e fundit tregojnë se Nënpresidentja Harris dhe zoti Trump gëzojnë mbështetje pothuajse të barabartë, ndërsa kandidati demokrat për guvernator, Josh Stein, ka një epërsi me rreth 10% përballë republikanit Robinson.

Josh Stein dhe aleatët e tij kanë ribotuar në mënyrë të përsëritur një postim në Facebook të vitit 2019, në të cilin zoti Robinson shprehet se aborti në Amerikë ka të bëjë me “vrasjen e foshnjes pasi e ëma nuk ishte e përgjegjshme sa duhet për ta mbajtur fustanin të veshur”.

Ekipi i fushatës së zotit Stein tha në një deklaratë se “banorët e Karolinës së Veriut tanimë e dinë se Mark Robinsoni është plotësisht i papërshtatshëm për të qenë Guvernator”.

Ligji i shtetit thotë se një kandidat për guvernator mund të tërhiqet si kandidat jo më vonë se një ditë para se të shpërndahen fletëvotimet e para në mungesë, të cilat fillimisht ju dërgohen atyre që shërbejnë në ushtri dhe votuesve që ndodhen jashtë shtetit. Ky afat skadoi të enjten.

Ish Presidenti Trump ka shprehur shpesh mbështetjen e tij për zotin Robinson, i cili është konsideruar si një politikan me ndikim në rritje në partinë e tij. Ai është i njohur për fjalimet e tij të zjarrta dhe retorikën e flaktë. Përpara zgjedhjeve të marsit, zoti Trump, në një tubim në Greensboro, lavdëroi aftësinë e tij për fjalime duke e krahasuar me Martin Luther King-un.

Ekipi i fushatës elektorale të zotit Trump duket se po distancohet nga zoti Robinson, ndërsa njoftimi i rrjetit CNN po përhapet. Në një deklaratë për Associated Press, zëdhënësja e ekipit të zotit Trump, Karoline Leavitt tha se kandidati republikan “është përqëndruar në fitimin e garës për Shtëpinë së Bardhë dhe shpëtimin e këtij vendi”, duke e quajtur Karolinën e Veriut “një pjesë jetike të atij plani”.

Zonja Leavitt vazhdoi të krahasonte arritjet në ekonomi të ish Presidentit Trump me atë të rivales demokrate Harris, duke mos përmendur zotin Robinson me emër. Ajo gjithashtu nuk iu përgjigj pyetjeve nëse ai do të shfaqej krahas zotit Trump në një tubim të fushatës të planifikuar për të shtunën në Wilmington të Karolinës së Veriut, apo nëse ishte ftuar ta bënte këtë.

Zëdhënësi i ekipit të zonjës Harris, Ammar Moussa, shkroi në platformën e mediave sociale X se “Donald Trump-i ka një problem me emrin Mark Robinson”. Ai gjithashtu e shpërndau një foto të të dyve së bashku.

Partia Republikane e Karolinës së Veriut e mbrojti zotin Robinson në një deklaratë në rrjetin social X, duke thënë se pavarësisht mohimit nga ana e tij të raportit të rrjetit CNN, kjo nuk do ta “ndalonte të majtën që të përpiqet ta demonizojë atë nëpërmjet sulmeve personale”. Partia iu referua politikave ekonomike dhe të imigracionit si çështjet mbizotëruese zgjedhore për të cilat banorët e Karolinës së Veriut do të kujdesen më shumë.

“E majta ka nevojë që këto zgjedhje të jenë një garë personaliteti, jo një garë politikash, sepse nëse votuesit përqëndrohet në politikë, republikanët fitojnë në ditën e zgjedhjeve”, tha partia republikane.

Scott Lassiter, kandidat republikan për Senatin e shtetit në një qark fushëbetejë, i bëri thirrje zotit Robinson të “pezullonte fushatën e tij për të lejuar një kandidat cilësor ta përfundojë këtë garë”.

Ed Broyhill, anëtar i Komitetit Kombëtar Republikan në Karolinën e Veriut, tha se ai foli me zotin Robinson të enjten pasdite dhe ende e mbështet atë si kandidat të partisë. Në një intervistë, zoti Broyhill sugjeroi se të dhënat në internet mund të ishin fabrikuar.

“Më duket si një mashtrim i ndyrë,” tha ai.

Ligjvënësi Richard Hudson nga Karolina e Veriut, kryetar i komisionit të Partisë Republikane në Kongresin amerikan për fushatën zgjedhore, u tha gazetarëve se ato që u njoftuan në artikullin e rrjetit CNN ishin “shqetësuese”. Zoti Robinson, tha ai, ka nevojë të bëjë disa sqarime në shtetin e tij.

Zoti Robinson, 56 vjeçar, u zgjodh në pozitën që ka momentalisht në vitin 2020. Ai thotë se ka kaluar fëmijëri të varfër, ka bërë punë, por që më vonë janë mbyllur, për të cilat ai fajëson Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA). Fjalimi i tij katërminutësh në Këshillin Bashkiak të Greensboro-s, duke mbrojtur të drejtat e armëmbajtjes dhe duke u ankuar për “demonizimin” e oficerëve të policisë u bë virale. Ky fjalim i siguroi atij një pozitë në bordin e Shoqatës Kombëtare të Armëve dhe popullaritet mes votuesve konservatorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA