Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi pret homologun polak/ Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit mes rregullatorëve të dy vendeve

11/09/2024 14:46

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka pritur sot Presidentin e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit  Polak (KRRIT), Maciej Swirski.

Gjatë takimit të organizuar në ambjentet e AMA-s, Kryetarja Krasniqi ka shprehur vlerësimin për mundësitë e reja të bashkëpunimit që hapen sot mes dy rregullatorëve, atij shqiptar dhe polak.

“Kjo është e rëndësishme, sepse mendoj se vetëm kështu, ne mund të jemi të suksesshëm në punën tonë: duke ndarë idetë dhe planet tona për të përballuar sfidat e kohës, me të cilat po përballen aktualisht autoritetet që ne drejtojmë”, ka thënë Krasniqi.

Gjatë takimit, kryetarja Krasniqi ka bërë një prezantim të shkurtër mbi punën e AMA-s dhe objektivat e arritura deri tani, siç janë miratimi i ndryshimeve ligjore dhe harmonizimi me Direktivën e BE-së 2018/1808, ose siç njihet ndryshe, Direktiva e ndryshuar për Shërbimet Mediatike Audiovizive, si dhe ndryshimet e mëtejshme të propozuara, që parashikojnë

përfshirjen e konceptit të Matjes së Audiencës ne ligj; luftën kundër piraterisë së të drejtave të transmetimit dhe vijimësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar që punojnë në fushën e medias, në favor të përmirësimit të cilësisë së gazetarisë në median audiovizive dhe jo vetëm.

Krasniqi ka theksuar gjithashtu se Matja e Audiencës vazhdon të jetë një objektiv aktual, i rëndësishëm, i punës së AMA-s, si institucion nxitës, për një proces të domodosdoshëm për rregullimin e mëtejshëm të tregut audioviziv. Siç edhe lufta kundër piraterisë, një fenomen i përhapur tashmë edhe online.

“AMA do të vazhdojë forcimin dhe zhvillimin më tej të bashkëpunimeve, tashmë të konsoliduara, me partnerë të ndryshëm, që punojnë në fushën e mediave, për realizimin e objektivave të përbashkët në luftën kundër gjuhës së urejtjes, dezinformimit etj”, ka thënë Krasniqi.

Gjithashtu presidenti i KRRIT, z. Swirski, pasi ka falenderuar për mikpritjen, ka theksuar sfidat kryesore ku është e përqendruar puna e rregullatorit polak, si dhe ka shprehur gatishmërinë për një bashkëpunim të gjatë dhe të vlefshëm për të dyja palët.

Në një prezantim të shkurtër të mënyrës së qeverisjes së institucionit që drejton, Swirski u ndal në problematikat që sot shqetësojnë jo vetëm tregun mediatik polak, por gjithë opinionin mediatik ndërkombëtar. Dezinformimi dhe bashkërendimi i punës mes autoriteteve rregullatore për të shmangur ndikimin keqdashës në përcjelljen e informacionit tek publiku, është theksuar nga Presidenti i KRRIT polake, si një nga objektivat kryesor të rregullatorit që ai drejton.

Më pas dy krerët e autoriteteve rregullatore kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, i cili bazohet në katër shtylla të rëndësishme:

-matja e audiencës

edukimi mediatik

-hulumtimi i opinionit publik

-metodologjia e monitorimit të përmbajtjes audiovizive.

“Kemi nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet dy trupave rregullatore të Shqipërisë dhe Polonisë dhe shpresojmë të forcojmë urat e bashkëpunimit, pse jo edhe të shkëmbejmë me njëri-tjetrin eksperiencat më të mira në fushën rregullatore të medias audiovizive, ka thënë Krasniqi.

“Memorandumi ynë i mirëkuptimit lidhet pikërisht me luftën kundër Dezinformimit, me Edukimin Mediatik dhe sigurisht që të shkëmbejmë edhe përvojat tona për monitorimin e medias”, është shprehur Swirski.

Memorandumi i Bashkëpunimit i hap rrugën kështu një bashkëpunimi të gjatë mes dy institucioneve, qoftë në përmirësimin e mëtejshëm të punës, edhe në shkëmbimin e eksperiencave mes tyre.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA