Kombëtarja shqiptare nisi zyrtarisht ditën e hënë përgatitjet për dy ndeshjet ndaj Ukrainës 7 shtator, “Epet Arena” të Çekisë dhe Gjeorgjisë, 10 shtator, në Arenën Kombëtare, të vlefshme për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Në kuadër të këtyre dy sfidave të rëndësishme për kuqezinjtë, sulmuesi Taulant Seferi dhe mesfushori Arbër Hoxha dhanë prononcimet e tyre duke treguar objektivat e Shqipërisë në këtë kompeticion dhe se si po shkojnë përgatitjet e Kombëtares.
“Së pari dua të fokusohemi te ndeshja e parë me Ukrainën, që e kemi më 7 shtator. Është një kundërshtar i fortë, ka lojtarë shumë cilësorë në radhët e veta. Kemi edhe disa ditë për të përgatitur ndeshjen dhe të fokusohemi 100% që të arrijmë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje. Duke marrë parasysh që është një mundësi shumë e mirë për Botërorin, pse mos të renditemi në vendin e parë. Kemi skuadra shumë të forta në grup, por ne do të japim maksimumin gjithmonë për Kombëtaren tonë.”- u shpreh Arbër Hoxha.
Ndërkohë sulmuesi kuqezi Taulant Seferi shprehet se për momentin I gjithë fokusi është tek ndeshja me Ukrainën më datë 7.
“Kemi nisur grumbullimin dhe kemi dy ndeshje. Ukraina dhe Gjeorgjia janë dy kundërshtarë shumë të fortë. Kemi filluar përgatitjet për ndeshjen e parë ndaj Ukrainës dhe po shkojnë shumë mirë. Kemi edhe disa ditë për të marrë më shumë informacion për ekipin kundërshtar dhe duhet të futemi në fushë për të dhënë maksiumumin. Të gjithë e dimë se Ukraina është një kombëtare fizike shumë e fortë dhe duhet të përgatitemi në maksimum. E njoh kampionatin e Ukrainës dhe disa lojtarë që luajnë atje, janë një kombëtare shumë fizike pasi atë stil loje kanë. Janë kundërshtar shumë i fortë dhe duhet të përgatitemi mirë për të dhënë maksimumin”.
Përfaqësuesja kuqezi do të zhvillojë ditën e sotme dy seanca stërvitore, një mëngjesin e nesërm dhe pasdite, rreth orës 14:50 dot ë niset drejt Çekisë ku do të zhvillohet ndeshja në fushë asnjëanëse me Ukrainën.
Top Channel