Rezervati gjigant natyror Choco Andino në Ekuador, strehon rreth 600 specie zogjsh e 270 specie gjitarësh, por tashmë është në mesin e një përplasjeje mes ambjentalistëve dhe kërkuesve të mineraleve, që e konsiderojnë si një mënyrë për t’i shpëtuar varfërisë.
Një vit më parë ambjentalistët fituan në një referendum të vështirë që ndalonte kërkimin e metaleve në pyllin e dendur.
“Këto aktivitete nxjerrëse kërcënojnë ekosistemet dhe integritetin e tyre”, thotë biologu vendas Inty Arcos, për rezervatin me zogj shumëngjyrësh në periferi të kryeqytetit Quito.
Zona e florës e faunës së bollshme është gjithashtu e pasur me flori në rreth 124,000 hektarët e territorit.
Por megjithë referendumin ambjentalistët dhe shumica e rezidentëve(68%), ankohen se asgjë nuk ka ndryshuar në ndalimin e aktiviteteve minerare dhe kërkojnë që qeveria të bëjë më shumë, shkruan rrjeti AFP.
Pylli është pjesë e korridorit natyror Greater Chocó, mes Panamasë e Perusë, ku jeton dhe një popullatë prej 21,000 banorësh.
“Ne duam saktësi për regullacionet e paqarta që tolerojnë dëmtimin e rezervatit”, tha aktivistja Teolinda Calle.
Por dhoma e industrisë së vendit thotë se punimet në rezervat janë të kontrolluara dhe sipas rregullave.
“Të ndalosh një industri nuk është mënyra më e mirë për të mbrojtur mjedisin, aq më keq në një zonë ku niveli i varfërisë është rreth 80%,” tha zyrtarja vendase Maria Eulalia për rrjetin AFP.
Dy depozitat madhore të floririt dhe bakrit në Ekuador sollën fitime rekord prej $3.324 miliardë në 2023 dhe mund të arrijnë deri në $10 miliardë (10% e GDP) në 2030, sipas dhomës së industrisë, teksa në gjysmën e parë te këtij viti shënojnë 1.642 miliardë dollarë.
Top Channel