Fundi i Gushtit shënon periudhën e përkujtimit të viktimave të sistemeve totalitare. Por për familjet që humbën të afërmit e tyre padrejtësisht, çdo ditë është një kujtesë e dhimbshme, të cilën koha nuk ka mundur ta shërojë.
Alemsha Hoxha nuk ka një varr ku të kujtojë babanë e saj të cilin ja burgosën për spiunazh dhe agjitacion e propagandë kur ajo ishte vetëm dy-muajshe.
“Ai 6 vite jetoi në burg, nuk e përballoi. Ishte dënuar 20. Mbaj mend në një vit, kemi vajtur dhe nuk na kanë lënë policët që as kokën të na e prekte. Të shihte fëmijën e porsalindur dhe mos ta prekte”, thotë Hoxha.
Siç treguan dëshmitarët e asaj kohe, Sali Bakalli vuajti tortura çnjerëzore dhe vdiq pas 6 viteve burgim, ndërsa familjes kurrë nuk ju dorëzua trupi edhe pse shumë vite kërkuan të paktën hirin e tij. Në ditën e përkujtimit të viktimave të sistemeve totalitare vajza që kurrë nuk shijoi përkëdheljen e babait përcjell mesazhin e fortë.
“Shqipëria të heqë dorë nga spiunllëku, se prandaj nuk ecën përpara. E kanë në gjak spiunllëkun dhe nuk heqin dorë”, përfundon Hoxha.
Në Shqipëri mbi 6000 persona u ekzekutuan, gjatë regjimit komunist, me ose pa urdhër të gjykatës. Pjesës më të madhe të tyre ende nuk u dihet vendvarrimi, ndërsa mijëra të tjerë u burgosën dhe internuan në burgjet politike dhe kampet e punës.
Persekutimi i regjimit komunist, ra edhe mbi gratë e fëmijët të cilët vuajtën në kampet e punës dhe nuk mundën të shkolloheshin.
Top Channel