Dështimi i marrëveshjes së armëpushimit, Biden telefonon Netanyahun!

22/08/2024 08:37

Presidenti amerikan Joe Biden zgjodhi të zhvillonte vetë një bisedë telefonike me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Gazë dhe lirimin e pengjeve.

Telefonata erdhi pak pasi shefi i shefit të diplomacisë amerikane, Antony Blinken, u kthye nga Lindja e Mesme duarbosh, pa vulosur siç shpresonte, marrëveshjen e shumëdiskutuar të pushimzjarrit mes shtetit hebre dhe militantëve të Hamasit. Blinken dhe ndërmjetësit nga Egjipti dhe Katari i kishin varur shpresat e tyre tek një propozim amerikan që synon ngushtimin e hendeqeve midis dy palëve në luftën 10-mujore në Gazë.

“Presidenti Biden foli me Kryeministrin Benjamin Netanyahu për të diskutuar lidhur me armëpushimin dhe marrëveshjen për lirimin e pengjeve si dhe përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet rajonale”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë. Në telefonatën me udhëheqësin izraelit mori pjesë edhe zv/presidentja Kamala Harris, e cila merr sot zyrtarisht në kuvendin e demokratëve emërimin si kandidate për presidente e Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e 5 nëntorit. Detaje të tjera mbi telefonatën, deri tani nuk ka.

Por një zyrtar amerikan, që ka dijeni mbi çështjen, pretendon se Biden pritej të ushtronte presion mbi Netanyahun me qëllim zbutjen e një kërkesë të re të Izraelit për të mbajtur trupa përgjatë korridorit tokësor Filadelfi mes Egjiptit dhe Gazës. Hamasi ndërkohë kërkon tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza, përfshirë dhe këtë rripi toke 14.5 kilometra mës saj dhe Egjiptit. Izraeli pretendon ta mbajë kontrollin e korridorit të cilin e pushtoi në fund të majit, pasi shkatërroi dhjetëra tunele poshtë tij, për të cilat thotë se përdoreshin nga grupi militant.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA