Dy persona kanë ndërruar jetë mbrëmjen e së hënës, në plazhin e Velipojës në Shkodër dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.
Ndaj Ersild Ishmit dhe Arsid Hoxhës është qëlluar disa herë me armë zjarri ndërsa plumbat kanë prekur edhe Zyber Zagradin, punëtor në një nga hotelet e zonës duke e lënë të plagosur.
Ndërkohë dy autorët e dyshuar janë Eduard dhe Gëzim Frroku pronar të një hoteli aty pranë. Sipas drejtorit të policisë së Shkodrës, ngjarja e rëndë ka zanafillën tek një konflikt banal në fund të muajit qershor.
“Shkak është debati mes dy viktimave dhe pronarëve të hotel “Holiday”, Eduart dhe Gëzim Frroku. Shkak ka qenë një debat i ndodhur në datën 28 qershor mes kamarierit dhe kuzhinierit në ambientet e këtij lokali, ku u ndalua Ersild Ishmi”, sipas drejtorit të policisë Shkodër, Edmond Sulaj.
Dy autorët sapo kanë vënë re viktimën, janë afruar dhe e kanë qëlluar disa herë Ersild Ishmin 33 vjeç dhe Arsid Hoxhën 22 vjeç duke u shkaktuar plagë të rënda.
Plumbat kanë prekur edhe Zyber Zagradin, i cili shërben si kamarier në një tjetër hotel. Ata janë transportuar për në spitalin rajonal të Shkodrës, në gjendje të rendë, dhe pavarësisht ndihmës se mjekeve, kanë ndërruar jete.
Policia ka ngritur pika kontrollit për arrestimin e dy vëllezërve Eduard dhe Gëzim Frroku.
Top Channel