PD kërkon heqjen e mandatit të deputetit socialist, reagon Sinaj: S’kam përfituar asnjë lek nga buxheti i shtetit, dhuroj rrogën për të ndihmuar njerëz

07/08/2024 09:40

Deputeti i PS, Vullnet Sinaj ka reaguar pasi Grupi Parlamentar i PD kërkoi heqjen e mandatit të tij si deputet, pas akuzave se ka marrë të ardhura nga buxheti i shtetit përmes kompanive të tij private.

Sinaj, përmes një postimi në Facebook, tha se e ka mësuar me habi këtë kërkesë të PD, ndërsa sqaron se ka dhënë dorëheqje nga administrimi i bizneseve të tij, për “t’iu përkushtuar politikës”.

Deputeti thekson se nuk ka përfituar asnjë lek nga buxheti i shtetit, dhe për më tepër, thotë ai, “dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë”.

Ndërkohë në njoftimin e Grupit Parlamentar të PD, thuhej se “do t’i kërkojë Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit socialist Vullnet Sina. Nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti Sina, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit.”

Postimi i plotë i Vullnet Sinajt

Mësova me habi dhe jo pa humor, kërkesën për mocion të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Gjobëvënësit mediatikë e përsërisin këtë këngë gjinkallash nga viti 2017. Por, surpriza është që thashethemet e portaleve përdoren nga opozita duke i kthyer në akte politike.

Per sa më sipër, deklaroj me përgjegjësi të plotë:

– Në zbatim të nenit 70, pika 3 e Kushtetutës, nga viti 2017 kam dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve të mia, duke iu përkushtuar vetëm politikës.

– Me vendimet e depozituara në QKB në vitin 2017, kam vendosur transferimin e të gjitha kuotave të kompanive, sipas ligjeve në fuqi.

– Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet.
Për më tepër, dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitoj financiarisht nga buxheti i shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA