Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq ‘Klubin e Futbollit Tirana’ dhe administratorin e tij, Refik Halilin, me akuzat se nuk kanë deklaruar listëpagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për 26 lojtarë në sezonin 2015-2016.
Refik Halili është marrë në pyetje më datë 24 maj të këtij viti në lidhje me marrjen e të dhënave për zhvillimet që po hetoheshin.
Administratori është pyetur në lidhje me shumën 22 milionë lekë që nuk janë deklaruar në organin tatimor, në atë periudhë kohore. Ai është përgjigjur se “Klubi i Tiranës është privatizuar në shtator 2011, duke e kthyer në shoqëri aksionere me kapital 100% dhe ka vazhduar të jetë e tillë deri në Maj 2015”. Halili deklaron se ka qenë administrator i klubit që në Maj 2015 me 66% të aksioneve dhe në momentin e privatëzimit, në këtë muaj sipas tij nuk bënin dorëzimin e dokumenteve, kryesisht financiare. Sipas Halilit, sapo ai i ka marrë dokumentet ka mësuar se në zyrën e tatimeve nuk është paguar asnjë taksë.
Taksat së bashku me energjinë elektrike, ujësjellësi, pagat e futbollistëve apo gjyqet e humbura, thotë ai, arrinin një vlerë prej 4.2 milion euro dhe se disponon vendimet e gjykatës si dhe shkresat e përmbaruesve të cilën kur është emëruar administrator në vitin 2015 kanë qenë të bllokuara.
Ndërsa, për fshehjen e të ardhurave të tatim fitimit 22 milionë lekë në periudhën 2013-2016 ai ka deklaruar se kubin e futbollit “e ka marrë në administrim në Maj 2015, dhe për vitet e mëparshme mbajnë përgjegjësi personat që kanë qenë më parë”.
Për akuzat se 26 futbollistë nuk janë deklaruar në organin tatimor, ku për periudhën 2014-2016 vlera totalle rezulton 29 milionë lekë, Halili ka dëshmuar se “do të vendos në dispozicion në një moment të dytë të gjithë listëpagesat e futbollistëve dhe të punonjësve”, por thotë ai, në kohën që e ka patur klubin në administrim “sigurimet shoqërore të futbollistëve janë bërë të gjitha”.
Top Channel