AMA ia arrin qëllimit: Komiteti i Përbashkët i Industrisë gati për të nisur punën për procesin e Matjes së Audiencës

10/07/2024 17:26

Sot është finalizuar me sukses nisma e AMA-s për ngritjen e një prej instrumenteve më të rëndësishëm të tregut audioviziv.

Pas një pune 6-mujore, është zyrtarizuar Komiteti i Përbashkët i Industrisë, i cili do të hedhë hapat e mëtejshëm për fillimin e procesit të Matjes së Audiencës.

Pas një procesi nxitës për palët, drejtuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, pas disa tryezave të organizuara me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë OSHMA-ve dhe agjencive të marketingut, si dhe pas përzgjedhjes së 3 televizioneve bartës të licensave rajonale, KPI është e plotë dhe gati për të vijuar më tej.
Tanimë si një organizatë e plotësuar me të gjithë aktorët, KPI do të hedhë hapin e radhës, atë të regjistrimit në gjykatë e më pas vendimmarrjen për vijim e procesit.

Në takimin e organizuar sot në ambientet e AMA-s, Kryetarja Armela Krasniqi pasi ka vlerësuar vullnetin pozitiv të shprehur nga OSHMA-të për arritjen e këtij objektivi, ka theksuar edhe nje herë rëndësinë e Matjes së Audiencës si një instrument që jo vetëm ndihmon në forcimin e transparencës së tregut audioviziv në vend, por edhe si një instrument i rëndësishëm për identifikimin e shtrirjes së ndikimit mediatik të OSHMA-ve në publikun e gjerë.

Komiteti i Përbashkët i Industrisë është zgjedhur nga vetë OSHMA-të pjesëmarrëse në tryezat e organizuara nga AMA dhe ka 9 anëtarë në bazë të kritereve të vendosura nga vetë grupet e punës me përfaqësues të televizioneve.

Komiteti i Përbashkët i Industrisë përbëhet nga 3 televizionet kombëtare private, operatori publik RTSH, 3 televizione bartës të licencave rajonale dhe 2 kompani marketingu të përzgjedhura nga Shoqata e Agjencive të Marketingut që operon në vend.

FOTO GALERI
7/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA