De La Fuente: Kujdes nga Mbappe, kam besim të verbër se do të shkojmë në finale

08/07/2024 20:37

Spanja është gati për sfidën gjysmëfinale të EURO2024, me iberikët që do të masin forcat përballë Francës në një duel që premton shumë.

Në prag të kësaj sfide, në konferencë për shtyp trajneri i Spanjës, Luis De La Fuente theksoi se Franca ka potencial të jashtëzakonshëm dhe të martën pret një sfidë shumë të luftuar, ndërsa nuk la pa përmendur edhe yllin e francezëve, Mbappe.

“Franca ka potencial të jashtëzakonshëm dhe kjo është e dukshme. Ata kanë një skuadër cilësore, të mbushur me emra të rëndësishëm dhe për këtë unë pres një ndeshje shumë të fortë, të luftuar. Unë nuk dua të bëjë presion ndaj kundërshtarit, por Franca është skuadra që ka bërë paraqitjet më të mira në këtë Europian, të paktën këtë përshtypje më kanë lënë mua. Mbappe? Ai është i paparashikueshëm, nuk zhduket kurrë. Niveli i tij në 50% është 100% i çdo lojtari tjetër. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe kjo nuk matet me fjalët se ai këtë Europian nuk ka bërë asgjë. Ne do të përpiqemi të minimizojmë kushtet e tij, kemi mjete për të bërë.  Kam besim të verbër te skuadra ime për të kaluar në finale” – tha fillimisht trajneri i Spanjës.

Më pas, De La Fuente foli edhe për gjendjen e skuadrës së tij, teksa theksoi se forca e Spanjës është grupi.

“Kemi një skuadër shumë të mirë, kemi punuar shumë këto ditë dhe jemi gati për këtë ndeshje. Lamine duhet të vazhdojë të jetë vetvetja dhe të vazhdojë të mësojë. Kemi edhe lojtarë të tjerë që në këtë Europian kanë spikatur duke suprizuar shumë, por jo ne sepse të gjithë që janë këtu ne i njohim prej kohësh. Kemi disa mungesa, por kemi një skuadër shumë të bashkuar dhe forca jonë është grupi. Nisemi me besimin për të bërë mirë dhe për të prekur finalen. Sa i përket krahasimeve me EURO2008 dhe 2012 shumë gjëra janë ndryshe, por jo dëshira për të triumfuar në fund” – përfundoi De La Fuente.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA