Ofroi 5 milionë lekë për masë më të butë, GJKKO lë në burg ish-ministrin Ilir Beqaj! Ndryshon masa vetëm për Alfred Nikollin

06/07/2024 18:33

Pas 6 orësh seance maratonë, Gjykata e Posaçme la në burg ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtorin e tij Erman Kurtulaj. 

Pavarësisht se Beqaj mohoi fshehjen e pasurisë në rastin e makinës dhe aksioneve të restorant “Egzona” si dhe ofroi garanci pasurore, gjykata la në fuqi 5 nga masat e dhëna më herët. Masa ndryshoi vetëm për Alfred Nikollin, i cili nga arrest me burg u la në masën e sigurisë arrest shtëpie.

Seanca nisi që prej orës 12:30, ku ish-ministri Beqaj tha në seancë për makinën që pretendohet se ka fshehur pronësinë se nuk ka pse ta fshehë sepse me të ardhurat që ka “mund të përballojë disa makina si ajo.”

Ndërsa për përfshirjen e bashkëshortes së tij si ortake në restorantin “Gzona”, ish-ministri tregoi se “ishte një kërkesë nga një mik i përbashkët për të qenë ortakë, për arsyen që të mund të tërheqë klientë të serës së lartë.”

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ish-Ministri Ilir Beqaj akuzohet për korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror:

-Mosdeklarim dhe fshehja e pasurisë

-Mashtrim me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim

-Shkelje e barazisë në tendera

në bashkëpunim Ermal Kurtulajn, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat e Bashkimit Europian, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II).

Sipas SPAK “Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese”.

SPAK argumenton se Personat nën hetim i kanë kryer vetë shërbimet (me shpenzime shumë herë më të ulta) Shoqëritë tregtare të kontraktuara për organizim të eventeve kanë dhënë përfitim të parregullt në formën e blerjeve të shërbimeve tek restoranti “Gzona”, apo të kryera në formën e pagesave nëpërmjet personave të tjerë, me qëllim përvetësimin fundor nga personat nën hetim Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulaj.

SPAK thotë më tej se Ilir Beqaj fshehur pronësinë e restorant “Gzona” pranë Kalasës ë Tiranës prej vitit 2020, e për këtë bashkëshortja e tij deri në këtë kohë ishte 15% ortake, në fakt posedues konkret sipas prokurorisë ka qenë vetë Beqaj.

SPAK evidenton se Beqaj ka fshehur edhe një automjet të regjistruar në emër të Kurtulajt, që është pikërisht makina, me të cilën ai u paraqit disa herë në SPAK. Abuzimet me fondet e BE-së, përllogariten në rreth 380 mijë euro.

Njoftimi i GJKKO

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 07.2024, Nr. Regj.Them. 73, ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën penale me objekt:“1.Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe nevojat e sigurimit personal të vendosura për personat nën hetim; 2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale për personat nën hetim Ilir Beqaj, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla, të dyshuar për veprat respektive; 3. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale për personat nën hetim Bledar Leka dhe Bjona Ziaj, të dyshuar për veprat respektive; 4. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale për personin nën hetim Elton Marini, të dyshuar për veprën penale respektive”.

Në përfundim të gjykimit Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenin 112, 228, 229, 230, 234, 237, 238, 248, 249, 260 të K.Pr.Penale dhe Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë nr. 7, datë 14.10.2011, me Vendimin Nr. 73, datë 06.07.2024.

Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Ilir Hamid Beqaj,i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni  257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Ermal Xhemal Kurtulaj,i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë publikë”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni  260 dhe 25 i Kodit Penal, “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla,i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publike”, parashikuar nga neni  245 i Kodit Penal dhe “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal.

Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”,parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla.

Në referim të nenit 237, pika 1 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla, të qëndrojë në banesën e tij me adresë: Rruga “Tish Daija”, Kompleksi “Kika 2”, Nd. 32, H4, Ap. 54, Nj. Adm. Nr. 5, Tiranë.

Në referim të nenit 237, pika 2 dhe 3 të K.Pr.Penale, kontrolli dhe mbikëqyrja  e kësaj mase të bëhet nga shërbimet e  policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e personit nën hetimAlfred Nikollaq Nikolla.

Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Elton Koli Marini,i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 143/ 3 i Kodit Penal.

Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Bledar Shpend Leka,i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim” kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 143/2 i Kodit Penal.

Në referim të nenit 234, pika 2 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Bledar Shpend Leka, të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore Samet Gurguri, pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 12.00.

Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Bjona Bexhet Ziaj,e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal.

Në referim të nenit 234, pika 2 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Bjona Ziaj, të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore Samet Gurguri, pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 12.00.

Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA