Treqind e tetëdhjetë e dy studentë fluturuan kapelat në ajër, duke përmbyllur ciklin e studimeve Bachelor.
Një rrugëtim që finalizohet për brezin e 16-të të diplomuarve, në 18 vitet e UET. Si rrallë herë, Amfiteatri i Tiranës gjalloi nga buzëqeshjet, lotët e gëzimit, brohorimat e lirisë, përqafimet e familjeve dhe të dashurve. Rreth 400 studentë, nga pesë fakultetet e Universitetit Europian të Tiranës, kremtuan mbrëmjen e 4 korrikut mbylljen e studimeve në ciklin bachelor.
Ky është brezi i 16-të i të diplomuarve në këtë universitet, në 18 vitet e jetës së tij. UET është i pari universitet në Shqipëri që mori akreditimin ndërkombëtar në vitin 2022 nga Agjencia Britanike e Cilësisë (QAA).
“Diploma e UET është një status i respektuar në tregun e punës dhe, siç është dëshmuar nga eksperiencat e ish-paraardhësve tuaj, ata kanë zhvilluar karriera nga më të suksesshmet jo vetëm në institucionet publike e private brenda vendit, por edhe në korporata dhe organizata ndërkombëtare dhe në institucione të reputacionit botëror”, u shpreh Selami Xhepa, President i UET.
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali iu drejtua studentëve, duke i këshilluar që në jetë të ndjekin yllin e tyre, sepse vetëm ashtu do të ndjehen të plotësuar e do të gjejnë suksesin.
“Vetëm duke dhënë më tepër, do të ndizeni, do të ndriçoheni, do të digjeni, do të shkëlqeni. Për të luftuar korrupsionin, thonë se SPAK ndjek paratë. Për ta begatuar Shqipërinë, ti ndiq yllin. Ndiq yllin dhe bota është e jotja”, tha ajo.
E ftuar nderi në këtë ceremoni ishte rektorja e Universitetit të Studimeve Ndërkombëtare Romë, prof. Mariagrazia Russo, e cila e cilësoi një moment historik jo vetëm për studentët po për të gjithë pedagogët.
“Ajo që ne festojmë sot këtu është padyshim një moment historik për ju, por është gjithashtu një moment historik për të gjithë stafin në universitetin tuaj, si dhe për të afërmit dhe miqtë tuaj: të gjithë së bashku keni fituar”.
Pas një rrugëtimi 18-vjeçar në këtë universitet, prof. dr. Tonin Gjuraj, tashmë i zgjedhur si rektor i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, mbajti fjalimin e tij të fundit si rektor i UET.
“Kemi arritur bashkë të kryejmë këtë udhëtim rritës të UET, i cili ka qenë shpesh frymëzues edhe për institucione të tjera simotra.”
Drita Kruja, në fjalën e parë zyrtare tashmë si rektorja e re e Universitetit Europian të Tiranës theksoi se ky universitet vendos gjithmonë në qendër studentin.
“Në Universitetin Europian të Tiranës, kemi vendosur gjithmonë studentin në qendër të çdo gjëje që bëjmë.
Treqind e tetëdhjetë e dy emra jehuan në Amfiteatër, e treqind e tetëdhjetë e dy kapele hapën rrugën e sukseseve të reja.
Top Channel