Fiks Fare/ Varrezat e fshatit Skrevan mbuluar nga bari e plehrat, lartësia shkon deri në dy metra

05/07/2024 20:34

Në Fiks Fare u ankuan me anë të një videoje banorët e fshatit Skrevan në Dimal. Ata tregonin se nuk vizitonin dot të dashurit e tyre që janë larguar nga kjo jetë , pasi bari i kalonte lartësinë e dy metrave dhe vendi ishte plot me plehra.

Fiksi pa nga afër gjendjen e varrezave të Skrevanit, ku bari i mbulonte komplet varret. Plus edhe me temperaturat e larta banorët kishin frikë edhe nga gjarpërinjtë që mund të gjenin strehë në këtë vend.

Gazetarja e Fiksit hyri në mes të këtyre varreve dhe gjatësia e barit mbuloi edhe atë gjatë raportimit. Përveçse dukej qartë se prej një kohe aty nuk ishte vënë dorë krahas barit , varrezat ishin pushtuar edhe nga plehrat e shumta.

Banorët shkruanin në denoncimin e tyre se e kishin njoftuar Bashkinë Dimal, por asnjë masë nuk ishte marrë prej tyre në pastrimin e varrezave.

Fiksi iu drejtua Bashkisë Dimal ku specialisti Vasillaq Dheskali tha se nuk e dinin që gjendja ishte e tillë. Ai tregoi se ata kanë një grafik për pastrimin e varreve të zonave të ndryshme dhe se para një muaji  varrezat e fshatit Skrevan ishin pastruar. Pyetjes së Fiksit që si ka mundësi të ketë shkuar bari 2 metra lartësi kur para një muaji këto varreza janë pastruar, z. Dheskali tha se nga shirat bari është rritur shumë duke e kthyer situatën në humor. Pasi edhe vetë e kuptonte që nuk mund të rritej për një kohë kaq të shkurtër bari deri në atë lartësi. Gjithsesi ai premtoi për Fiksin se menjëherë do ngrihej një grup pune për pastrimin e varrezave.

Një ditë pasi  Fiksi vuri në dijeni Bashkinë Dimal për gjendjen e  varrezave, drejtoria e shërbimeve publike pranë bashkisë ngriti grupin e punës.

Punonjësit e kësaj drejtorie bën të mundur pastrimin e varrezave duke kositur barin dhe pastruar  plehrat.  Më në fund varrezat e fshatit Skrevan falë Fiks Fare u bënë të aksesueshme nga njerëzit të vizitojnë të afërmit e tyre që pushojnë në këto varreza.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA