Himara pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, ndërsa nesër mblidhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që do të shqyrtojë shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, Dhionisios (Alfred) Beleri.
Në projekt vendim shkruhet se kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës nuk mund ta ushtrojë detyrën.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me shkresën nr.933/1 prot, datë 1.07.2024, ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shkurtimin e vendimit penal nr. 26, datë 25.06.2024, dhënë në ngarkim të z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri.
Sipas këtij vendimi të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është vendosur lënia në fuqi e vendimit nr. 14, datë 05.03.2024 e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sipas së cilës është vendosur: “Deklarimi fajtor i të pandehurve Pandeli Kokaveshi dhe Dhionisios (Alfred) Beleri, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
Në nenin 2 pika 1 shkronja “b” e ligjit 138/2015 “ Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, përcaktohet se vepra penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K.Penal hyn në kategorinë e veprave penale, për kryerjen e të cilave persona të caktuar nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie, etj.
Në nenin 10, pika 1, shkronja “ç”, të ligjit nr. 138/2015, përcaktohet se KQZ brenda kompetencave të veta, “…shpall pavlefshmërinë e mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe para fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi i shpallur i zgjedhur në kundërshtim me këtë nen, si dhe shpall mandatin, në përputhje me Kodin Zgjedhor…”.
Në këto rrethana vlerësohet se z. Beleri i zgjedhur Kryetar i Bashkisë Himarë nuk mund të ushtrojë këtë detyrë për shkak të ndalimit që vjen nga ligji 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, shkruhet në projekt vendimin e KQZ.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar informacion Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ku rezulton i dënuar dhe në bazë të ligjit të dekriminalizimit ai është subjekt dhe humb mandatin.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me shkresën nr. 1736 prot., datë 27.06.2023 i ka kërkuar informacion/dokumentacion Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nëse është marrë ndonjë vendim penal në ngarkim të shtetasit z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri. Gjithashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me shkresën nr.1785 prot, 1.07.2024 i ka kërkuar informacion zyrës së gjendjes gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri”, shkruhet në projekt vendim.
Dhionisis Alfred Beleri, kreu korrupsion në zgjedhjet lokale nga të cilat u zgjodh kryebashkiak i Himarës. Por gjatë 13 muajve në paraburgim ky mandat nuk u bë funksional pasi ai nuk u betua. Pasoja direkte e vendimit të apelit është humbja e mandatit si kryetar i zgjedhur i bashkisë Himarë.
Gjykata e Apelit të Posaçëm e gjeti fajtor 52-vjeçarin. Ndaj tij qëndroi në fuqi dënimi dy vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Top Channel