“Fiksimi” Rodrygo, Liverpooli i propozon një shkëmbim Realit

30/06/2024 15:20

Rodrygo është objektivi i madh i Liverpoolit në merkaton verore. Trajneri i ri i The Reds, Arne Slot u ka kërkuar drejtuesve të klubit t’i sjellin në skuadër sulmuesin brazilian, pjesë e Real Madrid prej vitit 2019.

Pavarësisht rritjes së konkurrencës në sulmin e skuadrës së Carlo Ancelottit si pasojë e mbërritjeve të Mbappe dhe Endrick, Rodrygo nuk ka ndërmend të largohet nga Spanja.

23-vjeçari ndihet për mrekulli në Madrid, teksa ka një lidhje të veçantë me trajnerin Ancelotti dhe shokët e skuadrës. Por Liverpooli nuk dorëzohet dhe do të tentojë deri në fund sigurimin e kartonit të tij.

Shtypi sportiv spanjoll raporton se anglezët kanë një propozim për “Los Blancos”, të cilëve u ofrojnë shërbimet e Luis Diaz në një shkëmbim me Rodrygon.

Kolumbiani është prej kohësh në listën e dëshirave të Barcelonës, por mund të përfundojë te Reali. Gjithmonë nëse kampionët e Spanjës dhe Europës pranojnë shkëmbimin me Liverpoolin.

Që më pas duhet të bindë edhe Rodrygon për të vijuar karrierën në “Anfield”, aty ku Arne Slot e pret krahëhapur dhe i siguron një fanellë titullari të përhershme./Super Sport

Top Channel