Plagosja e një roje të ambasadës izraelite në Beograd po trajtohet si akt terrorist, pohoi zëvendëskryeministri serb, njëherazi ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç.
Teksa vizitoi në spital policin e plagosur, Daçiç u shpreh se çështjen e ka marrë përsipër zura e Prokurorit Special.
Në njoftimin e ministrisë së brendshme serbe mbi ngjarjen thuhet se një person i panjohur, ” identiteti i të cilit po përcaktohet, qëlloi me hark një efektiv që ishte duke ruajtur misionin diplomatik të shtetit hebre, duke e plagosur atë në qafë.
Policia ka reaguar në vetëmbrojte siç nënvizohet, dhe ka shtënë mbi agresorin me armën e tij të shërbimit. Sulmuesi ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa polici u dërgua në spital ku do t’i nënshtrohet një operimi për t`i hequr shigjetën nga qafa.
“Të gjitha rrethanat e sulmit dhe motivet e mundshme po hetohen”, tha Daçic. Serbia ka mbajtur raporte të ngushta me Izraelin, edhe përgjatë kohës që ai vazhdon operacionet ushtarake në Gaza, kundër Hamasit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.
Tel Avivi e nisi luftën duke u zotuar ta shkatërrojë Hamasin pasi grupi radikal palestinez vrau rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, si dhe rrëmbeu mbi 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të vendit hebre.
Top Channel