Olsi Rama në SPAK për kallëzimin kundër Bardhit: S’kam asnjë lidhje me Xibrakën, makinën e kam marrë për një udhëtim dy ditë në Selanik

28/06/2024 13:34

Olsi Rama u paraqit sot në SPAK në lidhje me padinë që bëri dy muaj më parë ndaj deputetit demokrat Gazment Bardhi.

Në padi ai kërkoi nisjen e hetimeve ndaj kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi për shpifje.

Nga burimin zyrtare dhe jo zyrtare, gazetarja e Top Channel tha se Olsi Rama u paraqit për mos fillimin e hetimeve në lidhje me denoncimin që ka depozituar ndaj Bardhit.

“E kam bërë kallëzimin sepse e kam konsideruar një manipulim të të gjitha fakteve dhe një gënjeshtër shumë të madhe prandaj do të dalë e vërteta. Nuk kam asnjë çerek lidhje me Xibrakën. Unë i kam marrë automjetin një personi në atë kohë për të shkuar dhe për të bërë një udhëtim në Selanik dhe kaq.

Nuk kam asnjë lidhje fare me asnjë nga personat që përmendni dhe vetëm një person njoh, rastësisht. Do të vij në Prokurori kurdo që të jetë nevoja”, tha Olsi Rama pasi doli nga godina e SPAK.

Pasi Gazment Bardhi bëri një denoncim publik ku pretendonte se Olsi Rama ishte i përfshirë në organizatën kriminale të Xibrakës, dorëzoi padi për shpifje në SPAK, më 2 prill.

Më 16 maj ai depozitoi një kallëzim të dytë ndaj Bardhit, në SPAK,  lidhur me kallëzimin e bërë nga ky i fundit për implikimin e tij në trafikun e drogës në laboratorin e Xibrakës.

Në kallëzimin e dytë të Olsi Ramës, ai i referohet një statusi të Gazment Bardhit në 8 maj, ku kreu i grupit të PD-së thotë se SPAK e ka njoftuar zyrtarisht për rinisjen e hetimeve.

“Kërkoj regjistrimin e kallëzimit penal në ngarkim të z. Gazment Bardhi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale të kallëzimit të rremë të parashikuar në nenin 305 të Kodit Penal. Kërkoj marrjen e akteve të materialeve të kallëzimit penal nr.68, datë 9.4.2024 të regjistruara nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe korrupsionit sipas rregullave të parashikuara nga neni 191 i Kodit të Procedurës Penale, për shkak se i shërbejnë këtij kallëzimi të ri penal”, thuhej në kallëzimin e Olsi Ramës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA