130 km/h, hapet të dielën qarkullimi në aksin Thumanë – Kashar, Balluku inspekton punimet e fundit

26/06/2024 15:26

Në aksin rrugor Thumanë – Kashar, po kryhen punimet e fundit.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, në inspektimin para hapjes për qarkullimin e automjeteve, u shpreh se gjithçka është gati të dielën.

“Segmenti do të dorëzohet të dielën, në orën 19:00. Këtu jemi në pikën fundore, jemi në nyjën e Kasharit. Aktualisht po bëhen vijëzimet, detajet e fundit. Nyja është totalisht e përfunduar. Po shikoja sot një raport për të parë të gjithë ecurinë e punimeve dhe pjesa e autostradës, pra rruga e re e ndërtuar, mbi 21 km që kemi si kategori A, është e përfunduar. Tashmë është vetëm çështje pastrimi apo ndonjë sinjalistike, ndërkohë që mbeten ende për të përfunduar rrugët kryesore”.

Balluku theksoi, se ashtu sikurse kontrata parashikon, rruga nuk do të bëhet me pagesë nëse punimet nuk përfundojnë tërësisht.

Thumanë-Kashar është i aks i kategorisë A, ku shpejtësia e lëvizjes do të jetë 130 kilometra në orë, duke ofruar gjithashtu kushte të larta sigurie. Hapja e këtij aksi për qarkullimin e automjeteve do të lehtësojë ndjeshëm fluksin e trafikut.

“Të gjithë drejtuesit e automjeteve do të kenë të drejtë të zgjedhin rrugët e shpejtësisë mbi 130 kilometra në orë me pagesë apo rrugët dytësore të cilat do të jenë të disponueshme pa asnjë lloj pagese. Në ndërkohë duhet thënë që jemi në proces negocimi të kontratave të tjera, disa prej tyre janë drejt lidhjes dhe menjëherë ashtu siç ky kantier eci me një shpejtësi të jashtëzakonshme, duhet të themi që ky është një nga kantieret të dorëzuara në kohë rekord, pavarësisht gjithë problematikës që kemi pasur me shpronësimet. 1 vit e 3 muaj dhe është bërë një punë e shkëlqyer si nga konçesionari, ashtu edhe nga ARRSH-ja edhe nga Agjencia Shtetërore e Shpronësimeve në një bashkëpunim të plotë të mbikëqyrur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për të qenë gati sot për të dorëzuar këtë vepër vetëm në 15 muaj në total dhe kështu shpresojmë që të shkojmë dhe me lotet e tjera”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se të gjitha segmentet e Korridori Blu do të jenë me pagesë, pasi do të jenë akse të shpejtësisë së lartë, por në dispozicion të qytetarëve do të jenë edhe rrugët dytësore të cilat do të jenë pa pagesë.

“Me këtë autostradë të parë të kategorisë A dhe pas pak ditësh me hapjen e tunelit të Llogorasë ne do të fillojmë që të dorëzojmë infrastrukturat e para të cilat nuk kanë asgjë për të qenë ndryshe nga ato të Bashkimit Europian”, u shpreh Balluku.

Top Channel