Presidenti i Republikës Bajram Begaj, shprehu sot ngushëllime për ndarjen nga jeta të artistit Agim Doci, ndërsa dërgoi edhe një kurorë lulesh në homazhet e lamtumirës së fundit.
Në telegramin e ngushëllimit dërguar familjarëve të poetit, Presidenti Begaj e vlerëson “Mjeshtrin e Madh” Agim Doci për frymëzimin e brezave me dashurinë për shqiptarinë përmes teksteve të këngëve patriotike.
“Njerëz të tillë mbeten përgjithmonë në memorien e popullit dhe kombit, dhe kujtohen me nderim, respekt e dashuri”, – shprehet Presidenti Begaj.
Ditën e sotme janë zhvilluar homazhet në ndër të poetit të njohur shqiptar Agim Doçi, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme pasi pësoi hemorragji cerebrale.
Artistë të njohur shqiptarë si dhe të afërm i kanë dhënë lamtumirën autorit të mijëra teksteve dhe këngëve shqiptare dhe i kanë shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit, përmes postimeve në rrjete sociale.
Kush ishte Agim Doçi?
Agim Doçi lindi më 9 maj të vitit 1948. Ai u arsimua në Shkodër deri në gjimnaz dhe më pas vazhdoi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike.
Ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si Fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç, Poligrafik Tiranë etj.
Në vitet e fundit të ’80 ka punuar pranë Kombinatit të Drurit “Misto Mame” si kryeinxhinier për energjinë.
Në 1989 dënohet duke u caktuar të punojë me tre turne në fabrikën e letër-kartonit. Ai ishte i përfshirë në lëvizjet e dhjetorit të vitit 1990.
Doçi ishte autor i shumë teksteve të këngëve shqiptare, fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion.
Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë për luftën e Kosovës. Mund të përmenden këngë shumë të njohura si “Marrshi i UÇK-së”, “A vritet pafajësia”.
Ka botuar disa libra me poezi si ‘Hajde dru me pre’, ‘Rrëzuar mbi vetminë’, ‘Rituali i kryqëzimit’.
Top Channel