Librat mësimorë të biologjisë, fizikës, kimisë, arteve, teknologjisë dhe gjuhëve të huaja pritet të përditësohen deri në dhjetor të vitit 2026 në arsimin parauniversitar.
Qeveria shqiptare ka nxjerr në konsultim publik, planin e reformave për t’u integruar më shpejt në Bashkimin Europian , ku ndër to parashikohet reformë në sistemin arsimor që t’i përgjigjet tregut të punës, duke i përgatitur digjitalisht nxënësit. Kurrikula e re planifikohet të vihet në zbatim në vitin 2027.
“Qasja është e mirë për aftësimin digjital dhe përgjigjes së kërkesave të tregut të punës. Por jemi në vitin 2024, sapo është hedhur në konsultim publik dhe koha në dispozicion nuk mjafton. Mos harroni që reformat e bëra shpejt nuk zgjasin”, tha Irida Sina.
Me ndryshimin e programit mësimor, planifikohet edhe që mësuesit të trajnohen mbi mënyrën e re të mësimdhënies si dhe të ketë për ta një metodologji të re vlerësimi të perfomancës së tyre, veçanërisht për kompetencat TIK.
“Është me rëndësi që jo vetëm të kemi nxënës të përgatitur për një treg pune të globalizuar por edhe mësuesi të jetë i përgatitur gjithashtu dhe kjo nuk zgjidhet vetëm me trajnime dy tre ditore që janë përsëritëse dhe nuk çojnë në klasë asgjë të re!”
Në planin e transformimit të sistemit arsimor ka përparësi sigurimi i pajisjeve të mjaftueshme teknologjike për shkollat dhe universitetet dhe lidhja me internet me shpejtësi të lartë. Përmirësimi i infrastrukturës digjitale në shkolla dhe nxitja e aftësive digjitale te nxënësit vlerësohet pozitivisht nga ekspertët e arsimit.
Top Channel