Një sherr i rëndë është shënuar mesditën e sotme në Korçë, ku pesë persona kanë dhunuar një 18-vjeçar.

Fillimisht ata me mjetin e tyre “Range Rover” kanë goditur automjetin e të riut, e më pas e kanë dhunuar e goditur me sende të forta.

18-vjeçari është dërguar në spital me lëndime trupore, ndërkohë që autorët janë shpallur në kërkim.

“Më datë 19.06.2024, rreth orës 14:30, në lagjen nr. 17, Korçë, shtetasit S. S., 33 vjeç, S. S., 25 vjeç, Dh. D., 38 vjeç, A. D., 27 vjeç dhe M. B., 39 vjeç, banues në Korçë, të cilët lëviznin me automjetin tip “Range Rover”, dyshohet se kanë përplasur automjetin me drejtues shtetasin M. J., 18 vjeç dhe më pas janë konfliktuar fizikisht me të.

Gjatë konfliktit, pesë shtetasit e lartpërmendur dyshohet se e kanë goditur me sende të forta 18-vjeçarin, duke i shkaktuar dëmtime trupore. Po nga deklarimet e 18-vjeçarit dyshohet se një prej autorëve ka patur një send, në dukje si armë zjarri”, thuhet në njoftimin e policisë.

Vijon puna për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të dyshuar të ngjarjes.

Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin me prova ligjore të kësaj ngjarjeje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA