“Askush s’u ndëshkua për piramidën më të madhe në histori!”, Berisha akuza për lënien non-grata në Britani: Dokumentet e dërguara nga ne, nuk u dorëzuan qëllimisht

17/06/2024 20:55

Sali Berisha, nga dritarja e banesës së tij, ka komentuar sërish për lënien në fuqi të non-gratës nga Britania.

Sipas Berishës, në Britani nuk u ndëshkua askush për piramidën më të madhe në histori, por sipas tij “sot korrupsioni transnacional përdor qëndrimet ligjore” të tij “si provë për përjashtim të tij”.

“Në qoftë se në Britani për këtë nuk lëvizi kush në vendin e punës, sot korrupsioni transnacional përdor qëndrimet ligjore të Sali Berishës si provë për të ndëshkuar, për të përjashtuar atë”, shprehet ndër të tjera Berisha.

Më tej ai tha se mijëra dokumente të dërguara prej tyre, nuk u dorëzuan qëllimisht në Ministrinë e Brendshme britanike.

“Mijëra faqe nuk u dorëzuan Sekretares së Shtetit sepse ajo do mësonte të vërtetën me këto faqe dhe sepse po t’i dorëzoheshin asaj, do detyrimisht do të pranoheshin nga SIAC-i. SIAC-i pranonte vetëm dokumentet e dorëzuara para Sekretares së Shtetit. Shikoni çfarë akti të papërgjegjshëm dhe të ulët bën, për të mbrojtur korrupsionin transnacional, paraardhësi i Alistair King-Smith, Norman Duncan fshehu faktet, mijëra fakte,nuk iu dorëzuan sekretares në mënyrë që të mos shkonin për dorëzim në SIAC”, shtoi ai.

Pjesë nga deklarata: 

Miqtë e mi, po kur ndodhën këto? Si ndodhën?
Këto ndodhën pasi zyrtari i Home Office që kishte firmosur për përjashtimin tim, dhe që e sheh se nuk kishte asgjë në tavolinë të vërtetë, i kërkon Alistair King-Smith se çfarë mendon ti nëse i heqim përjashtimin Sali Berishës?

Zotëria e tij, duke mos pasur asnjë fakt, asnjë dokument, asnjë provë, i thotë se kjo do na dëmtojë shumë reputacionin, në qoftë se e heqim qoftë me proces ligjor, qoftë me proces administrativ.

Pra, nuk kishte rëndësi e vërteta, por kishte rëndësi reputacioni.
E kuptoni vetë ju se çfarë mentaliteti korruptiv është ky!
Se çfarë mentaliteti është ky.

Së dyti, ka një perlë tjetër, shumë të fortë, kur personi që kishte firmosur ndalimin tim mbi bazën e kërkesave që i kishin dërguar, ndalet tani, thotë t’i shqyrtojmë tani se qenka problem.

Dhe i dërgon zyrës së paraardhësit, Alistair King-Smith, shkresën se ku e keni bazuar këtë propozim.
Përgjigjia ishte se e kemi bazuar ndër të tjera në 38 deep-tel, në telegrame diplomatike.
Punonjësi i çon shkresën, ma sill pak atë dosjen e 38 deep-telëve. Përgjigjia ishte ajo që asnjë punonjës i një shteti të botës së katërt nuk e jepte, se kanë humbur, nuk i kemi, në një kohë kur i kishin të gjitha, por ishin kot dhe bosh.

Miqtë e mi, atëherë a nuk del e qartë me të gjithë këto akte, fytyra e shëmtuar dhe metastazat e korrupsionit transnacional shqiptaro-britanik në administratën e qeverisë së madhërisë së tij?

Të dashur miq, përsëri po të lexoni vendimin, përsëriten të njëjtat shpifje të turpshme për lidhjet me krimin, sillet shembulli i Fatjon Dautit, një person që nuk e kam takuar kurrë në jetën time, që edhe vetë thonë se nuk provojmë se ka lidhje, por ka lidhje.

Imagjinoni pak se si kërkon Edi Rama me korrupsion transnacional të mbrojë lidhjet e tij me krimin, të mbrojë vizitat e Sinaloas në zyrën e tij, licencën që u jep bosëve të kartelit më të rrezikshëm në botë, Sinaloas.

Se si kërkon Edi Rama me korrupsionin transnacional, me McGonigalë dhe ambasadorë, të mbulojë investitorët e tij strategjikë të llojit Pëllumb Gjoka.

Të mbulojë transportin me avionin e tij Ismail me baule diplomatike të ngarkesave të tmerrshme, drogë dhe narko-euro.

Se si kërkon Edi Rama të mbulojë procesin e shndërrimit të Shqipërisë në narko-shtet.

Miqtë e mi, në pretendimet e tjera, shtrojnë problemin e piramidave. Skemave piramidale të 27 viteve më parë, për të cilat nuk ka pasur njeri në botë që mund të ngrejë një akuzë për Sali Berishën. Askërkush. Kurrë.

Por e vërteta është, me gjithë dhimbjen që kam pasur dhe kam për atë krizë, shpreh një mirënjohje të veçantë ndaj parlamentit britanik, i cili në raportin e tij të vitit 2009 për piramidat më gjigante që shpërthyen në City-n e Londrës, shkruan: ky raport titullohet ‘Vjedhja më e madhe në histori’, dhe shkruan, bankierët, tregtarët, financierët e City-t ndërtuan skemën piramidale më të madhe të kohërave, por sot gangsterët e Tiranës që ndërtuan firmat piramidale, i kanë lakmi këta zotërinj që u sollën njëlloj si ata, sepse gangsterët e Tiranës u burgosën njëri pas tjetrit dhe se ligji atë kërkonte.

Sepse kompanitë e tyre u falimentuan njëra pas tjetrës dhe se ligji atë kërkonte. Dhe se qeveria e Tiranës nuk vendosi një qindarkë në skemat, ndërkohë që në Britaninë e Madhe asnjë njeri nuk u përball me ligjin dhe qeveria injektoi sasi kolosale parash në piramidën më të madhe në histori.

Pra, në qoftë se në Britani për këtë nuk lëvizi kush në vendin e punës, sot korrupsioni transnacional përdor qëndrimet ligjore të Sali Berishës si provë për të ndëshkuar, për të përjashtuar atë.

Top Channel