“Fushatë denigruese ndaj Shqipërisë”/ Meloni falenderon qeverinë shqiptare për kampin në Shëngjin: BE të marrë shembull

05/06/2024 18:08

Një fushatë denigruese ndaj qeverisë shqiptare, i konsideron kryeministrja italiane, Georgia Meloni, lajmet në mediat italiane, veçanërisht dokumentarin e RAI 3, që e etiketon Shqipërinë si “narkoshtet”.

Në një konferencë të përbashkët për mediat me kryeministrin Edi Rama nga Shëngjini, ku vizitoi qendrën pritesë të emigrantëve, që u arrit pas marrëveshjes mes dy vendeve, Meloni falenderoi qeverinë dhe popullin shqiptar për ndihmën e ofruar.

“Do doja të thosha që jam e lumtur që jam këtu, që pata rastin t’ju takoj, që Rama pati mundësinë të verifikonte nga afër situatën e punimeve që po realizohen në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar. Do doja të thosha, ashtu si kundër pamë dhe dëgjuam nga Rama, se vendet tona janë dy vende mike, vende që historikisht kanë bashkëpunuar së bashku. Falënderoj sërish kryeministrin Rama dhe popullin shqiptar për ndihmën që na dhanë që ne të realizonim këtë marrëveshje, që shpresoj të jetë shembull për BE. S’më mbetet veçse të përsëris afërsinë e popullit italian me Ramën, për sulmet që i janë bërë. Kemi ndjekur një fushatë denigruese ndaj qeverisë shqiptare, kemi dëgjuar edhe etiketime sikur është narkoshtet, sepse nuk është hera e parë që qeveria shqiptare ofron ndihmë”.

Kryeministrja italiane theksoi mbështetjen për Shqipërinë, në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Më tej, ajo kujtoi se nuk është hera e parë që Shqipëria i gjendet pranë Italisë, duke përmendur 30 mjekët shqiptarët që u dërguan nga vendi ynë në Lombardi gjatë periudhës së Covid 19, në një kohë kur rajoni italian ishte paralizuar nga rastet e shumta me koronavirus.

“Edhe më parë, historia e Shqipërisë ka treguar se ka pasur dëshirën e sinqertë për të qenë pjesë e BE dhe nuk i ka munguar asnjëherë mbështetja e Italisë për këtë. Më kujtohet që në ditët më dramatike të Covid, Shqipëria na ndihmoi me 30 mjekë në Lombardi. Rama u falënderua për këtë dhe një ndër gazetat italiane e quajti përrallë e bukur e kryeministrit shqiptar dhe Rama quhet si kriminel sepse shumë kanë ndryshuar që kur qeveria vendosi të vazhdojë bashkëpunimin me qeverinë e re shqiptare”.

Në nëntor të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane, Georgia Meloni, firmosën në Itali marrëveshjen për strehimin në vendin tonë, të emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Itali, deri në shqyrtimin e kërkesave. Më pas, në Shëngjin dhe Gjadër, nisi puna për ngritjen e strukturave akomoduese, që vetë Meloni i inspektoi sot nga afër, nëpërmjet një vizite blic.

Aktualisht, struktura pritëse e emigrantëve në portin e Shëngjin, është marrë në dorëzimin nga autoritetet italiane dhe ruhet nga policë italianë. Ndërkohë, në Gjadër, vijon procesi i ndërtimit të ambienteve akomoduese për emigrantët.

FOTO GALERI
23/26

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA