Projekt-rezoluta për krimet e komunizmit/ Tomorr Alizoti në Kuvend: Lini sekretarët e Enverit të flasin për viktimat e Spaçit!

30/05/2024 14:11

Deputeti demokrat, Tomorr Alizoti teksa flitej për krimet e komunizmit në Kuvend, kujtoi vuajtjet e të atit në burgun e Spaçit.

Alizoti akuzoi se PS lejon një sekretar të Rinisë në kohën e Komunizmit që të flasë në Kuvend për viktimat e Spaçit.

“Po të ishim në Hungari, Poloni, Estoni sot salla e Kuvendit do ishte plot me njerëz që diskutonin për një mallkim që i ndodhi një populli të vogël. Më vjen shumë keq, sot ndihem keq mbase edhe nga ana emocionale.

Unë i kam bredhur kampet e përqendrimit, unë kam qenë në Spaç që fëmijë i vogël, kam qenë në Qafë Bari, kam qenë në Burrel. E kam parë babën tim në moshën 3 vjeçare në kampin e Spaçit, kjo më ka bërë që të filloj nga ana emocionale të merrem edhe me Aushvicin. Si mundet PS që pas 33 vitesh, në këto tema të paktën heshtni ose mos flisni. E dini ju që asnjë pushtues në Shqipëri nuk ndërtoi kampe përqendrimi në këto përmasa, ky nuk është konflikt partiak, as folklorik.

Kjo është fatkeqësia e një kombi të vogël që mori një teori, një doktrinë që vinte nga Gjermania, u përpliua nga Lenini, nga Stalini, nga kriminelët më të mëdha të botës që vranë miliona njerëz dhe ja sollën një populli të vogël.

Sekretarët e Rinisë guxojnë sot të flasin për të vdekurit e Spaçit, të flasin sot për Tom Ndojën që i nxorën sytë dhe eksperimentuan, flasin sot për nënat që nxisnin maloret e Spaçit, ju guxoni sot të flisni. Po ju duhet të heshtni për 1 mijë vjet për ca i keni bërë këtij kombi. Më jepni 5 minuta të flas për 500 mijë vuajtje të kombit shqiptar, për Qafën e Barit.

Po është mëkat se i ka ndodh kombit shqiptar, nuk i ka ndodh Alizotit se Alizoti është një individ. Ju lini sekretarin e Rinisë së Kohës të komunizmit, flisni këtu për antikomunizmin.  Komunizmi arriti një gjë në Shqipëri dhe është i suksesshëm, prodhoi banalitet, ju prodhoi juve. Ju jeni banaliteti i Shqipërisë. Kolegë të nderuar kush e ndjen, një minutë heshtje për ata që janë pa varre dhe i vrau komunizmi”-u shpreh Alizoti.

Në fund të fjalës, me kërkesë të Alizotit u mbajt 1 minutë heshtje për viktimat e komunizmit të cilët ende nuk dihet se ku janë trupat dhe janë pa varre.

Top Channel