Vetëm 74 votat e PS u miratua projekt vendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm, për atë që nisur të cilësohet si Reforma 2 në drejtësi.

Shumica e deputetëve të Rithemelimit dhe ata të Lulzim Bashës nuk morën pjesë në votim, por 6 deputetë të opozitës që ishin në sallë ngritën kartonët e kuq.

Ndër deputetet qe votuan kundër spikati nënkryetari i grupit të PD, Ervin Salianji, i cili e ka kundërshtuar që në fillim pjesëmarrjen e opozitës në këtë komision. Kundër gjithashtu votuan edhe Lindita Metaliaj, Ilda Dhori, Elda Hoti dhe Albana Vokshi. Karton të kuq ngriti edhe Agron Shehaj qe prej kohesh ka shpallur divorcin e tij nga Berisha.

Projekt vendimi ngritjes të këtij komisioni nuk parashikonte debat parlamentar. Megjithatë Lulzim Basha shpalosi qëndrimin kundërshtues dhe e quajti këtë teatrin e radhës. Qëndrimet e zotit Basha u kundërshtuan nga ministria për marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali.

Vlen për t’u parë nëse socialistët do ta konstituojnë këtë komision të posaçëm cilësuar ri Reforma në Drejtësi 2 në kushtet kur opozita e kundërshton.  I votuar disa javë më parë në parlamentin komisioni i posaçëm parlamentar për ndërhyrjet e palëve të treta dhe Rublat ruse në politikën shqiptare, në mungesë të opozitës, nuk është formuar ende, pikërisht nga mos çuarja e emrave të anëtarëve nga opozita.

Kryesocialisti Edi Rama pritet t’ia besojë ish-ministrit Fatmir Xhafaj drejtimin e komisionit të posaçëm.

Komisioni që u votua pritet të mos ketë bashkëkryetar, pasi rezoluta nuk mori asnjë votë nga partitë opozitare. Të vetmit që dolën nga rreshti ishin deputetët Agron Shehaj dhe Dashnor Sulaj që votuan kundër.

Kuvendi miratoi mbrëmjen e 27 majit me 76 vota pro të mazhorancës Rezolutën për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin.

Ky Komision do të përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 5 përfaqësues të pakicës parlamentare. Një ndër qëllimet e tij është hartimi dhe miratimi i një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse.

Në draft theksohet po ashtu se pranë Komisionit të Posaçëm, për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës e transparent, do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medias, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj.

Ky Komision do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10 mujor, ndërsa në draft thuhet se në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit.

Pjesë nga drafti: 

Komisioni i Posaçëm Parlamentar organizon dhe zhvillon veprimtarinë e tij mbështetur në dispozitat e Rregullores së Kuvendit për funksionimin e komisioneve parlamentare. Komisioni do të ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të miratuar dokumentet përfundimtare nga një shumicë e konsiderueshme e deputetëve, duke e konsideruar kritike që ushtrimi të gëzojë mbështetje të gjerë dhe të pasqyrojë nevojën për ndërtimin e konsensusit që Kuvendi, populli shqiptar dhe partnerët ndërkombëtarë presin nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar dhe procesi që ai do të zhvillojë dhe mbikëqyrë.

Pranë Komisionit të Posaçëm, për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës e transparent, do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjensitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medias, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj.

Grupi i ekspertëve do të organizohet në 3 nëngrupe që do të angazhohen për 3 fushat e objektit të veprimtarisë së këtij komisioni. Ekspertët do të angazhohen në funksion të temave përkatëse, që lidhen me fushat e tyre të veprimtarisë në procesin e kryerjes së analizës dhe hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit si dhe propozimin e masave përkatëse legjislative e institucionale.
Numri dhe përbërja e grupit të ekspertëve miratohet me vendim të komisionit.
Komisioni mund të ftojë për konsultime për çështje specifike edhe agjenci dhe ekspertë të tjerë vendas e ndërkombëtarë të mirënjohur në fushat përkatëse.

Komisioni i Posaçëm për të garantuar një proces objektiv dhe në standardet më të mira ndërkombëtare dhe plotësisht në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian, fton ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, domosdoshmërisht të aleatëve tanë strategjike, si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke krijuar mundësinë dhe pjesëmarrjen aktive të tyre përmes ekipeve të monitorimit dhe asistencës teknike.

Në cilësinë e ekspertëve ndërkombëtare, komisioni mund të ftojë të marrin pjesë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës, Prezencës së OSBE-së, USAID, SIDA, vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar, agjencive të ndryshme të specializuara në fushat përkatëse, si GRECO, OGP etj., si edhe lektorë me karriera të spikatura në vendet partnere të Shqipërisë për fushat e objektit të punës së tij.

Pranë Komisionit të Posaçëm, ngrihet dhe funksionon një sekretariat teknik i përhershëm gjatë gjithë mandatit të komisionit, i përbërë nga këshilltarë/specialistë të Shërbimit Juridik të Kuvendit, administratës publike, juristë të institucioneve të pavarura dhe agjencive ligjzbatuese si edhe juristë të tjerë me përvojë që do të ftohen të kontribuojnë përkohësisht si pjesë e kësaj strukture gjatë mandatit të këtij komisioni. Sekretariati teknik do të shërbejë për të mbështetur Komisionin e Posaçëm dhe grupet e ekspertëve në kryerjen e detyrave të tyre.

Në lidhje me këtë nismë të ndërmarrë nga qeveria reagoi edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Selia diplomatike e cilësoi propozimin si premtues, duke e mbështetur atë.

“Propozimi për të çuar përpara përpjekjet e Shqipërisë që lidhen me qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, dhe anti-korrupsionin është premtues. Nxisim pjesëmarrjen e të gjithë shqiptarëve që synojnë të përmirësojnë të ardhmen e Shqipërisë dhe presim me kënaqësi të shohim rezultatet e dala nga një proces transparent dhe bashkëpunues”, thuhej në reagim.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel