Ministri i Brendshëm, Taulant Balla është përfshirë në një debat të ashpër me Tomor Alizotin.
Kur Alizoti kërkoi një minutë heshtje për viktimat e komunizimit, ky veprim u kundërshtua nga Balla, i cili e quajti tallje dhe jashtë rregullores së Kuvendit.
Alizoti: Një minutë heshtje për ata që janë pa varre dhe sot i vrau komunizmi.
Balla: Ik laj kokën (i drejtohet Alizotit)
Balla: Kemi rënë dakord dhe në konsensus të plotë: – kërkesa për minutën e heshtjes është momenti më solemn që ka kjo sallë. Ta fillosh fjalën në Kuvendin e Shqipërisë me ankesën që nuk ka deputetë në sallë, pra të konstatosh mungesën e seriozitetit dhe ta mbyllësh fjalën me kërkesë për të kërkuar një minutë heshtje, është tallja më e madhe që mund t’u bësh atyre për të cilët, pa dyshim kjo sallë duhet të jetë plot, me 140 vetë, të çuar të gjithë në këmbë, me himnin e Flamurit edhe për t’i mbajtur minutën e heshtjes, të cilin duhet ta bëjmë “minutë heshtjeje”, “60 sekonda”! E jo të çohemi aty 5 sekonda sikur po lajmë gojën! Kjo është tallja më e madhe. Kaq, sa i përket procedurës parlamentare.
Sa i përket replikës, unë kam marrë me qindra herë fjalën në këtë sallë, për t’iu bashkangjitur nevojës për të dënuar sa herë të kemi mundësi, krimet e komunizmit. Dhe krimet e komunizmit dënohen, kur të paktën distancohemi nga ata që ia kanë parë hajrin komunizmit. Ky që sapo foli, është modeli më i keq i atyre që familjarët e të cilëve e kanë vuajtur komunizmin në kurriz, dhe ky shkon ditë për ditë poshtë ballkonit të ‘Sekretarit të partisë’, i cili komunizmit ia ka parë hajrin më shumë se të gjithë ne këtu. Nuk ke këtu, asnjëri nga ne, babai i të cilit, se unë moshën s’e kam, të ishte në varkën personale të Enver Hoxhës!
Balla-Vokshit: Pusho ti, se ti ia ke parë hajrin ndryshe Saliut! Po pra, por, zonjë, mëso!
Balla: Pas 33 vitesh ju keni mundësinë e artë që nuk e bëtë dot, por jua bëri drejtësia, ta largoni komunistin nga kreu i partisë, dhe komunizmin nga brenda partisë! Dhe sa i përket komunizmit brenda partisë, shpëtoni njëherë e përgjithmonë, mblidhni institucionet e partisë, distancohuni nga sekretari i partisë edhe pastaj hajde na shisni dëngla!
Sa i përket pjesës tjetër, ky personi që sapo foli, është një keqardhje e madhe, se ky asnjë herë nuk di për çfarë flet. Por në partinë tuaj, edhe kur nuk flet, edhe kur nuk di çfarë thua, mund të të konsiderojnë për filozof. Këtë, për fat të keq e konsideroni për filozof, edhe kur thotë idiotësi.
Top Channel