Ligji për regjistrin e veçantë dhe publicitetin e punës së organizatave jofitimprurëse të Republikës Sërpska (RS), i njohur në publik si ligji për “agjentët e huaj”, është tërhequr nga debati në Asamblenë Kombëtare të RS-së të martën vonë.

Legjislacioni parashikonte mbikëqyrje të veçantë dhe mundësinë e ndalimit të punës për organizatat joqeveritare që financohen nga jashtë, ndalimin e aktiviteteve politike, nevojën për regjistrim shtesë dhe dorëzimin e raporteve financiare.

Ai përkufizonte si “agjentë të ndikimit të huaj” organizatat jofitimprurëse që ndihmojnë subjektet e huaja dhe që merren me veprime politike, ose aktivitete politike, të cilat ndikojnë në opinionin publik dhe ato që shkelin integritetin dhe Kushtetutën e Republikës Sërpska – entitetit të Bosnje e Hercegovinës.

Ligji për “agjentët e huaj” u tërhoq me kërkesë të Qeverisë së RS-së dhe vendimi u bë i ditur nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë i RS-së, Millosh Bukejlloviq.

Nuk janë dhënë hollësi për arsyet e tërheqjes së këtij ligji.

Projektligji u fut në rendin e ditës në fillim të seancës së Kuvendit të RS-së më 22 maj, pavarësisht thirrjes me shkrim nga 46 organizata joqeveritare drejtuar deputetëve që të mos e votonin atë.

Në të njëjtën ditë u mbajt një shfaqje me titullin “vdekje demokracisë”, gjatë së cilës përfaqësues të organizatave joqeveritare u përpoqën ta vënë në pah dëmin që do ta shkaktonte miratimi i projektligjit për “agjentët e huaj”.

Në një letër më 20 maj, Misioni i OSBE-së paralajmëroi gjithashtu se ligji për “agjentët e huaj” është në kundërshtim me kushtetutat e RS-së dhe Bosnje e Hercegovinës, dhe në shpërputhje me detyrimet ndërkombëtare të vendit për t’i respektuar të drejtat e njeriut.

Në seancën e 23 majit, Qeveria e RS-së e shqyrtoi një “propozim të opinionit” për ligjin për “agjentët e huaj”, por nuk dha hollësi pas seancës.

Këtë ligj e paraqiti më 2022 Millorad Dodik, presidenti prorus i Republikës Sërpska dhe udhëheqësi i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), i cili është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe për veprime antikushtetuese.

Kuvendi Kombëtar i Republikës Sërpska miratoi draftin e këtij ligji më 28 shtator të vitit të kaluar, i cili u prit me një sërë kritikash nga publiku, sektori joqeveritar dhe organizatat ndërkombëtare.

Hulumtimi i Radio Evropa e Lirë gjeti se ky ligj kishte ngjashmëri me ligjin rus për agjentët e huaj nga viti 2012.

Ambasada amerikane ka thënë më parë për Radion Evropa e Lirë se ky ligj është “represiv dhe jodemokratik”, dhe se, nëse zbatohet, do të shkelte në mënyrë drastike të drejtat dhe liritë e njerëzve që jetojnë në Republikën Sërpska.

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në Bosnjë e Hercegovinë kërkoi tërheqjen e këtij projektligji nga rendi i ditës së Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska, sepse vetë ligji, siç thuhet nga OHR, “ka për qëllim të heshtë dhe të frikësojë civilët dhe organizatat e shoqërisë”./REL

Top Channel