“Përfundova në betejën politike italiane”, pas intervistës me “La Republica”, Rama: S’kam ndryshuar mendjen për marrëveshjen me emigrantët, do ta nënshkruaja sërish!

24/05/2024 10:40

Së fundmi kryeministri Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “La Republica”, ku ka shprehur rezerva në lidhje me procedurat e BE-së për trajtimin e emigrantëve, teksa i referohet dy kampeve që do të ndërtohen në Gjadër dhe Shëngjin.

Ndonëse hapja e këtyre dy qendrave pritëse të emigrantëve, do të bëhej më 20 maj, kjo gjë nuk ndodhi për shkak të vonesës së nisjes së punimeve.

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për “La Republica” ka folur në lidhje me këtë shtyrje, që sipas tij është për shkak të shtetit italian.

“Të gjitha gjerat janë vetëm italiane, Shqipëria ofroi disponueshmëri dhe tokë, por asgjë më shumë”. Rama shprehet skeptik mbi politikat që do të ndiqen nga BE dhe Italia për mbarëvjatjen dhe funksionimin e këtyre dy kampeve. “Miku im, qendra do të jetë gati për disa muaj gjithsesi, kjo nuk është asgjë. Por problemi do të jetë funksionimi i tij. Dhe do të jetë shumë e vështirë për procedurat: si do të menaxhohen 3000 persona në 28 ditë me burokracinë italiane dhe rregullat evropiane?”, tha ai. Sipas kryeministrit do të ketë apelime, do të ketë bllokime. Dhe nuk është vetëm ky problem: “Edhe ky plan Mattei… si ta çoni përpara? Po, mund të bëni marrëveshje, të hapni qendra në Tunizi ose Libi. Por a e dini se sa para janë në lojë për trafikimin e emigrantëve në ato brigje? Dhe gjithçka është menaxhuar shumë lart”, tha ai.

Përmes një postimi në platformën X sot, Rama pas intervistës së dhënë, shprehet se lidhur me marrëveshjen për emigrantët me Italinë nuk ka ndryshuar mendim dhe edhe nëse do ta kthente kohën pas, do ta nënshkruante sërish.

“Jo, as kam ndryshuar ide, as kam dhënë intervistë. Kam bërë shqiptarin që praktikon fenë e vet të lashtë të mikpritjes – shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut – duke iu ofruar një kafe disa miqve të mirë që kishin ardhur në Tiranë nga Italia. Folëm për shumë gjëra në një atmosferë të bukur miqësore dhe, sigurisht, edhe për marrëveshjen dhe historinë e imigracionit klandestin nga Shqipëria drejt Italisë, të cilit qeveria D’Alema arriti t’i jepte fund me një logjikë dhe largpamësi strategjike. Kurrë, ama, nuk e kisha menduar që do të përfundoja edhe njëherë në batakun e luftës politike italiane, duke më cituar me fjalë që nuk i kam thënë kurrë, të llojit “do jetë një dështim” ose “do duhej D’Alema” nën titullin “Rama heq dorë nga Meloni”, ku nuk e gjej aspak veten.

Megjithatë, e përsëris: Edhe po të kthehesha një qind herë pas, sërish do ta bëja marrëveshjen për migrantët me Italinë dhe me asnjë vend tjetër. E kam thënë gjithnjë që, sipas meje, është diçka e re që duhet të kalojë provën e realitetit. Pastaj, nëse për realitet merret një foto e publikuar nga një kantier orët e para të punës, shoqëruar me titullin “800 milionë të hedhura kot”, atëherë jetojmë në botë paralele dhe asgjë nuk mund të na afrojë me sfidën masive të migracionit të paligjshëm, në një Europë që duhet të bashkohet për të luftuar në të njëjtën kohë trafikimin kriminal të të varfërve dhe dimrin demografik që kërcënon gjithnjë e më shumë të ardhmen e saj, ndërkohë që politikanët u ngjasojnë priftërinjve të Kostandinopojës, të cilët ishin kaq të zënë me grindjet për seksin e engjëjve, saqë nuk po kuptonin që muret e qytetit ishin rënë tashmë nga të gjitha anët.”, ka shkruar Rama.

 

Top Channel