Kërkoi leje për të marrë pjesë në Parlament, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Berishës! Ja pse rrezikon mandatin

23/05/2024 17:09

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Sali Berishës për të shkuar në parlament.

Pak kohë më parë ish-kryeministri kishte bërë rekurs dhe kishte kërkuar t’i jepet leje për të shkuar në kuvend, por kjo u refuzua në seancën e pasdites së sotme. Kjo nuk është hera e parë që gjykatat rrëzojnë kërkesat e ish-kryeministri të Shqipërisë, pas vendimit për t’u mbajtur në arrest shtëpie.

Por përtej izolimit në banesën e tij, Sali Berisha tashmë rrezikon edhe mandatin e deputetit. Për herë të fundit ai ka qenë i pranishëm në parlament më 21 dhjetor. Më pas, më 30 dhjetor, Gjykata e Posaçme e Shqipërisë vendosi nën arrest shtëpiak ish-kryeministrin, i cili është duke u hetuar nën dyshimet për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.

Kushtetuta parashikon që kur një deputet mungon për më shumë se gjashtë muaj në parlament, ai e humb mandatin. Në nenin 71 të kushtetutës së Shqipërisë, pika 2 germa d), thuhet se “mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në kuvend”. Avokatët e Berishës dhe mbështetësit e tij në radhët e Rithemelimit e kanë ngritur edhe më parë këtë si shqetësim.

Gjatë qëndrimit të tij në arrest shtëpie Sali Berisha është takuar me gazetarë të RAI3 dhe ish-eurodeputetin Elmar Brook, çka i detyroi prokurorët e SPAK të reagonin publikisht, duke i konsideruar thyerje të arrestit shtëpiak veprimet e ish-kryeministrit. Mirëpo Berisha sërish e ka injoruar ligjin dhe reagimin e prokurorëve, sepse gjatë ditës së sotme u takua në banesën e tij me aktorin Çun Lajçi, një mbështetës i hershëm i tij.

Top Channel