Një 61-vjeçar nga Kosova, i shpallur në kërkim nga Bullgaria, është ndaluar në portin e Durrësit teksa po dilte nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Ai ishte shpallur i kërkuar ndërkombëtarisht nga autoritetet në Bullgari, për tentativë vrasjeje dhe për vjedhje në rrethana rënduese.

Si rezultat i intervistimeve të detajuara dhe verifikimeve të tjera të kryera me qëllim parandalimin e lëvizjes së kundërligjshme të shtetasve që janë të shpallur në kërkim, si dhe për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, Policia e PKK Port Durrës, pas shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Sofias, ndaloi dhe arrestoi provizorisht, me qëllim ekstradimin në Bullgari, shtetasin kosovar Z. H., 61 vjeç.

Ky shtetas, i dënuar më parë në Bullgari, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e këtij shteti, pasi i është caktuar masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, dhe “Vjedhja në rrethana rënduese”.

Vijon bashkëpunimi për ekstradimin e 61-vjeçarit, në Bullgari.

Top Channel