Një 48-vjeçar shqiptar është shpallur në kërkim nga policia greke, i dyshuar si pjesëtar i një grupi kriminal që mashtronte të moshuar në Igumenicë të Greqisë. Policia greke ka identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasin Xhezo Zote nga Konispoli.
Nga hetimet e policisë greke rezulton se Zote ka arritur të marrë para cash dhe bizhuteri në vlerën 140 mijë euro, duke mashtruar në dy raste të moshuarit në Igumenicë.
Konkretisht bashkëpunëtorë të tij, përmes takimeve personale por edhe telefonatave, kanë kontaktuar me shtetas të moshuar në dy raste, duke pretenduar se familjarë të këtyre të fundit kishin pësuar aksident automobilistik dhe ishte e nevojshme pagesa për të kryer ndërhyrjen kirurgjikale.
Pas dakordësimit, në banesën e tyre ka shkuar 48-vjeçari Xhezo Zote, i cili në një rast të ndodhur në 18 maj, ka marrë 100.000 euro dhe 10 monedha ari nga një shtetas i moshuar ndërsa në 9 maj ka marrë 2.050 euro dhe bizhuteri në vlerën 30.000 euro nga një zonjë e moshuar. Vlera totale e marrë me mashtrim sipas policisë greke llogaritet në 140.000 euro.
Policia greke ka kryer hetime duke këqyrur materiale filmike dhe marrë deklaratat e dëshmitarëve okularë që kanë çuar në identifikimin e autorit të dyshuar. Nga hetimet e deritanishme rezulton se bashkëpunëtorë të Zotes, ende të paidentifikuar, janë të paktën edhe 3 shtetas të tjerë.
Top Channel