A ndiheni të pavarur dhe a keni nevojë për shtesa ligjore për të konsoliduar pavarësinë tuaj? Dumani ia pret shkurt Xhafajt: Jemi të pavarur, nuk duam asnjë shtesë ligjore apo kushtetuese

22/05/2024 12:19

Ish ministri socialist në Komisionin e Ligjeve, Fatmir Xhafaj ku po raporton kreu i SPAK Altin Dumani, iu drejtua këtij të fundit me pyetjen nëse shihet e arsyeshme ndonjë ndryshim kushtetues për t’u garantuar prokurorëve të kësaj Prokurorie më tepër pavarësi.

Dumani u shpreh se prokurorët janë të pavarur dhe ndihen të tillë, e se nuk e sheh aspak të nevojshme ndërhyrjen për ndonjë inicim të tillë për ndryshime ligjore.

“A ndihen të pavarur vetë prokurorët e SPAK në ushtrimin e detyrës dhe vendimmarrjet e tyre? Cilët janë faktorët që mund ta cenojnë këtë pavarësi dhe a ka vend për shtesa ligjore për të ruajtur dhe konsoliduar pavarësinë e SPAK dhe çdo prokurori dhe gjyqtari të atij sistemi?”, ishte pyetja e Xhafajt.

“Prokurorët e SPAK janë të pavarur dhe ndihen të pavarur. Këtë pavarësi ia ka garantuar ky Kuvend me miratimin e ndryshimeve kushtetuese në 2017, me kornizën kushtetuese dhe ligjore. Në vlerësimin tim të dyja kornizat garantojnë pavarësinë e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, dhe vlerësoj se nuk ka vend dhe nuk është e nevojshme inicimi i ndonjë ndryshimi ligjor apo kushtetues në funksion të garantimit akoma më shumë të pavarësisë. Vlerësoj se jemi mirë”, u përgjigj Dumani.

Top Channel