Në Gjirokastër sapo është çelur muzeu kushtuar Musine Kokalarit, një qendër komplekse që përkujton jetën e një prej simboleve të disidencës shqiptare nën diktaturë.
Shtëpia ku ajo lindi dhe u rrit e djegur gati një dekadë më parë, ende gjendet e rrënuar, por të afërm të saj ofruan një shtëpi tjetër për të qenë një strehë memorie e së parës grua që u njoh ndërkombëtarisht si shkrimtare, poete dhe politikane.
“Ky muze do të jetë për të gjithë dashamirësit e Musinesë, për ata që e njohin por edhe për ata që duan ta njohin. Sot Musineja ka një shtëpi dhe unë shpresoj që ajo të pasurohet me materiale të tjera por më e rëndësishmja është që këtu është shpirti i Musinesë. Nuk është si muzetë e tjerë ku cicëronët flasin për objektet apo për personazhet. Në këtë muze është vetë Musineja ajo që flet për veten e saj, për jetën e saj. Të gjitha muret janë të mbushura me shënime që janë nxjerrë prej shënimeve të saj”, tha Arjeta Kokalari, e afërme e Musinesë.
Shtëpia Kokalari u restauruar dhe përshtat si muze nga Fondacioni Trashëgimi Botërore pa Kufinj dhe në ndërtimin e konceptit morën pjesë shumë ekspertë restauratorë e muteologë përgjatë viteve të fundit. Muzeu strehon shumë objekte origjinale të autores, veshje, kujtime, dorëshkrime, botime, fotografi e shënime.
“Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me risjelljen e një monumenti kulture në gjendjen e tij fillestare por më e rëndësishmja është krijimi i një hapësire për Musine Kokalarin që është pjesë e trashëgimisë sonë. Jemi falënderues ndaj familjes së Musinesë që na ka vënë në dispozicion fotografi e materiale për ta kompletuar muzeun dhe gjithë ekipi ka qenë shumë i inspiruar duke punuar këtu”, tha Elena Mamani, nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij.
Musine Kokalari shfaqet brenda muzeut që është i vizitueshëm prej publikut edhe si poete shumë e veçantë, jo me një vizion idilik apo triumfues sic e kishin autorët e rilindjes dhe apostujt e nacionalizmit shqiptar. Ajo përkundrazi denoncon vuajtjet e mjerimin duke sjellë një poezi shumë popullore që ishtë e lidhur me poezinë e Migjenit, Mitrush Kutelit, Ernest Koliqit dhe Lasgush Poradecit.
Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare, themeluese e partisë Social-Demokrate, lindi në Gjirokastër më 10 shkurt 1917 dhe vdiq në vetmi mes dhimjeve të shkaktuara nga një tumor në Rrëshen në gusht të 1983. Ajo vuajti më shumë se 37 vite burgimesh e internimesh.
Top Channel