FOTOT/ Molotov, vezë dhe sherr mes protestuesve, Rithemelimi tubim përballë Bashkisë së Tiranës. “Harrohet” heqja e gardhit metalik

21/05/2024 12:30

Disa anëtarë dhe mbështetës të Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë janë mbledhur sërish këtë të martë para bashkisë së Tiranë për të protestuar dhe për të kërkuar që kreu i kësaj bashkie të largohet.

Sikundër edhe në protestat e tjera të zhvilluara më parë nuk kanë munguar molotovët në drejtim të forcave të policisë që qëndrojnë para godinës. Po ashtu janë hedhur edhe fruta e perime, si dhe tymues. Por këtë herë nuk ka pasur përplasje fizike me policinë apo tentativë për heqjen e gardhit metalik.

Por tubimi është shoqëruar edhe nga tensionet.  Një grua në moshë është futur mes protestuesve dhe u konfliktua me ta. Ajo dëgjohet duke thirrur “bravo policia”, “policia është me në” e më pas dëgjohet të thotë “mos më prek”, pasi debaton me një protestues.

Protesta u mbyll pas afro 1 orë e 30 minuta, nën efektet e zhurmave të molotovëve.

FOTO GALERI
1/14

Top Channel