Durrësi ka çelur zyrtarisht sezonin turistik, ndonëse prania e turistëve në qytet dhe plazhe tashmë është gjithëvjetore.
Edhe këtë vit ai synon të jetë kryeqyteti i turizmit në vend. I pozicionuar buzë Adriatikut, me një trashëgimi të pasur kulturore dhe kapacitete të shumta akomoduese, afërsia me aeroportin dhe Tiranën e bën Durrësin një zgjedhje të parë për turistët e huaj që prej këtu zbulojnë edhe destinacionet e tjera turistike shqiptare.
Turistët shprehen:
“Jam nga Oslo, Norvegjia. Hera e parë në Shqipëri dhe Durrës. Fantastike gjithçka, veçanërisht moti. Disa miq shqiptarë që jetojnë në Norvegji më thanë dhe ja ku jam për 3 ditë në Durrës. Ndjehem mirë.”
“Jam nga Danimarka dhe vij për herë të parë. Kam një mik nga Tetova e Maqedonisë dhe ai më solli që të shoh këtë vend kaq të bukur. E nisëm nga Tetova, pastaj në Ksamil, po nuk kishte shumë njerëz atje. Pamë Sarandën e qëndruam në Vlorë. Edhe Tirana e bukur. Këtu gjen gjithçka plazhin, malin, liqenet. Edhe vajzat janë fantastike.”
“E duam këtë vend. Të gjithë janë të dashur. Dielli dhe gjithçka. Po kënaqemi. Do të kthehem në UK dhe do t’u them të gjithëve sa këndshëm është këtu dhe do të kthehemi.”
Çelja e sezonit turistik do të sjellë një sërë aktivitetesh artistiko-kulturore dhe sportive.
“Java e turizmit vazhdon me promovimin e shtigjeve natyrore, me Open door activities, që përfshijnë aktivitete të ndryshme sportive përgjatë shëtitores së re të plazhit dhe maratonën me nxënësit e shkollave. Do të vazhdohet me shfaqje në teatër. Do të jetë një sezon turistik mjaft i pasur ndaj ju ftojmë të shijoni potencialin turistik të qytetit që njihet jo vetëm për turizmin bregdetar dhe atë kulturor, po dhe për turizmin e aventurës”, Floreta Kërtusha-Bashkia Durrës.
“Dje ishim me motorat me 4 goma në mal. Sot jemi ne plazh. Kemi kërcyer, pirë. Është hera e pare për të 13-a ne që vijmë këtu. Gjithçka kaq argëtuese”.
Këtë fundjavë në hollin e teatrit Aleksandër Moisiu u hap dhe një ekspozitë që ofroi për turistët dhe qytetarët e Durrësit një copëz të vlerave muzeale dhe historike të qytetit, që vitin e kaluar priti mbi 1 milion turistë, shifër që me prenotimet e shumta në hotelet e Durrësit parashikohet të tejkalohet së shpejti.
Top Channel