Nga vëllezërit Avdylaj dhe Duka, tek Valter e Durim Bami/ Cilët janë ‘kokat’ e krimit në shënjestrën e operacionit të SPAK, hetimet nisën pas transkriptimeve të Sky

17/05/2024 11:12

43 urdhër arreste janë lëshuar nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion, ndërsa SPAK po zhvillon operacion në disa qytete të vendit.

Operacionet po zhvillohen në Tiranë, Vlorë, Lezhë dhe Krujë, ndërsa po ushtrohen kontrolle edhe në banesa.

Sipas burimeve të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, hetimet nisën pas transkriptimeve të bisedave përmes kodeve në aplikacioneve Sky ECC që këta persona përdornin me njëri-tjetrin.

Në shënjestrën e SPAK janë vënë persona të njohur të krimit në vend si Valter dhe Durim Bami, dy vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, Fatmir Hyseni alias Docja apo dy vëllezërit Astrit dhe Altin Avdylaj, pjesë e bandës së Shijakut.

Kujtojmë se Fatmir Hyseni alias Docja është në kërkim për dy atentate ndaj Inez Hajrulla dhe Santiago Malkos.

Astrit Avdylaj, me nofkën “Niçja”, njihet si kreu i bandës së Shijakut dhe ndaj tij ka pasur akuza droge, vrasje, prostitucion, por edhe për lidhje të forta politike, së bashku me vëllanë e tij Altin Avdylaj. Ata ranë në pranga në tetor të vitit 20218 për operacionin “Vol-Vo 4” dhe u liruan dy vite më pas.

Mes listës së urdhër arresteve është edhe ish-deputeti i PS, Arben Ndoka, i cili është shpallur në kërkim.

Burime bëjnë me dije se janë shoqëruar Armando Ndreca dhe Elvis Ndreca, përkatësisht vëllai i deputetit Eduard Ndreca dhe kushëriri i tij. Gjatë operacionit u vu në pranga biznesmeni nga Velipoja, Mir Bruli, i afërm i Pëllumb Gjokës, ndërsa u shpall në kërkim ish-deputeti i PS, Arben Ndoka.

‘Kokat’ e krimit për të cilët janë lëshuar urdhër arreste nga GJKKO:

Leonard Duka

Erlis Duka

Fatmir Hyseni alias Doçja

Albert Zaja

Valter Bami

Durim Bami

Astrit Avdylaj

Altin Avdylaj

Plaurent Dervishaj

Endrit Dokle

Xhevi Ndoka.

Ende nuk ka një njoftim zyrtar mbi aksionin e SPAK, ku janë aprovuar 43 masa sigurie për akuza nga më të rëndat, si vrasje, sigurim mjetesh për vrasje apo pjesë e organizatave kriminale, ndërsa aksioni i SPAK është vazhdim i dosjes “Metamorfoza”.

Prokuroria e Posaçme (SPAK), më 4 maj dha detaje me anë të një njoftimi zyrtar lidhur me përfundimin e hetimeve për të pandehurit e akuzuar për dosjen “Metamorfoza”.

Hetimi për Ervis Martinajn mbi përfshirjen e tij në këtë dosje, është veçuar. I shumëkërkuari, shfaqet në bisedat me Behar Bajrin të cilit i kërkon vrasjen e Gjin Ndojit.

Në përfundim të hetimeve, SPAK dërgoi për gjykim dosjen ndaj të pandehurve, Pëllumb Gjoka, Edmond Preka dhe Behar Brajoviç për vrasjen e Gjin Ndojit, si dhe Astmer Bilalit e Ardirit Hasanbegaj për sigurimin e mjeteve për atentatin ndaj Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit.

Ndërsa ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri akuzohet për zbulimin e të dhënave sekrete, prishjen e provave dhe korrupsionin e zyrtarëve publikë.

Prokurorit të Shkodrës Xhevair Lita që shfaqej duke komunikuar me anëtarë të grupit për zhvillimin e dosjeve hetimore , i është hequr akuza e grupit kriminal. Ish-zyrtari i drejtësisë do të përballet me gjykatën për akuzën e akuzat e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit hetimor.

Top Channel